Ligji i ri për shtetësinë gjermane/ Ja se cfarë duhet të dini

Gjermania ka aprovuar ligjin që ua lehtëson qytetarëve të marrin pasaportën gjermane dhe dyshtetësinë.

Deputetët e Bundestagut kanë votuar në favor të ndryshimit të ligjit që do t’i hapë rrugë mundësisë për dyshtetësi.

Ligji thotë se personat që kanë qenë rezidentë në Gjermani për pesë vjet do të kenë të drejtën për pasaportë gjermane.

Ata po ashtu do të mund ta mbajnë edhe shtetësinë e tyre.

Redaktori i Deutsche Welle, Bahri Cani ka treguar disa detaje të cilat sipas tij duhet t’i dijë çdo qytetarë i Kosovës apo Shqipërisë që synon të marrë pasaportën e Gjermanisë.

“Shtetësia gjermane tani merret brenda 5 vitesh dhe jo brenda 8 vitesh siç ka qenë tani. E në raste të integrimit shumë të mirë, merret madje, madje, edhe pas 3 vitesh. Integrimi i mirë do të thotë nëse dikush bën ndonjë punë tepër të mirë, shkollë tepër të mirë, punë vullnetare e të tjera. Ata që krijojnë probleme nuk mund ta marrin shtetësinë fare”, ka deklaruar Cani.

Pyetje: Nëse një 20 vjeçar niset nga Kosova edhe shkon në Gjermani. Dikush e ndihmon për të gjetur punë, shtrohet në punë, avash-avash mëson edhe gjuhën gjermane, se nuk mund t’i bëjë dot të gjitha përnjëherësh, dhe kaq mjafton për 5 vjet?

Bahri Cani: Shiko, për të marrë shtetësinë gjermane duhet të jetosh të paktën 5 vjet në Gjermani, siç thuhet, me punë të rregullta dhe me dokumente të rregullta. E dyta, duhet ta mësosh gjuhën, duhet të mësosh gjërat elementare për gjermanishten që jepet si mini-test dhe duhet të kesh para të mjaftueshme për të jetuar për veten dhe për familjen tënde.


Shtuar 23.01.2024 16:54