Sergei Lavrov ka reaguar ndaj akuzave të Gjermanisë për përfshirjen e Moskës në incidentin e ndodhur në aeroportin e Leipzigut, ku u zbulua një dron i mbushur me eksplozivë. Ministri i Jashtëm rus paralajmëroi se deklarata të tilla mund të shkaktojnë një përshkallëzim të rrezikshëm.
Të lidhura
None found
“Akuzat kundër Rusisë janë fillimi i një lufte të vërtetë”, u shpreh Lavrov, duke i cilësuar pretendimet e Berlinit si një provokim të nxituar.
Ngjarja në aeroportin Leipzig/Halle ka shtuar tensionet mes Gjermanisë dhe Rusisë. Sipas autoriteteve gjermane, droni i gjetur pranë një avioni transporti ukrainas kishte elemente që lidhen me teknologjinë ruse dhe mbante lëndë shpërthyese.
Deri tani, hetimet kanë identifikuar dy persona që dyshohet se kanë pasur rol në operacion. I pari është një burrë me origjinë ruse, i pajisur me pasaportë letoneze, i cili dyshohet se ka drejtuar koordinimin e veprimeve dhe se ka pasur lidhje me shërbimet sekrete ruse.
Sipas raportimeve të mediave gjermane, i dyshuari kishte mbërritur në Gjermani përmes aeroportit të Berlinit dhe prej andej ishte nisur drejt Leipzigut me një automjet të marrë me qira. Pas incidentit, ai ishte larguar sërish nga territori gjerman.
Gjurmët biologjike janë përdorur nga hetuesit për të çuar përpara identifikimin e personit të dytë të dyshuar. ADN-ja e tij u gjet në një prej dronëve, brenda një ene metalike që përmbante eksplozivë, si edhe në një antenë të vendosur pranë aeroportit.
Autoritetet besojnë se kjo antenë mund të ketë shërbyer për forcimin e sinjaleve të telefonisë celulare, të përdorura për komandimin e dronëve.
Pas krahasimit të materialit gjenetik me bazat evropiane të të dhënave, hetuesit identifikuan një burrë me origjinë bjelloruse, i cili ka gjithashtu pasaportë ruse. Lëvizjet e tij në Gjermani janë rindërtuar dhe dyshohet se ai kishte hyrë në vend me një vizë turistike italiane.
Megjithatë, autoritetet gjermane po tregohen të kujdesshme sa i përket rolit të mundshëm të Rusisë në këtë ngjarje dhe mundësisë për t’i sjellë të dyshuarit përpara drejtësisë.
Moska i ka mohuar të gjitha lidhjet me incidentin. Ambasada ruse në Berlin e ka përshkruar rastin si një “provokim të nxituar” dhe ka shprehur shqetësimin për atë që e konsideron një valë të re të “histerisë anti-ruse” në Gjermani.
Ngjarja pritet të thellojë më tej përplasjet diplomatike mes Berlinit dhe Moskës, ndërsa Gjermania dhe aleatët e saj po përballen me akuza të shumta për aktivitete të dyshuara ruse në territorin evropian.
