Abbas Araghchi, ministri i Jashtëm i Iranit, deklaroi se procesi i bisedimeve për një marrëveshje përfundimtare me Shtetet e Bashkuara nuk mund të ecë përpara për aq kohë sa Uashingtoni vijon të përdorë retorikë kërcënuese.
Të lidhura
None found
Kjo deklaratë erdhi pasi presidenti amerikan Donald Trump paralajmëroi se SHBA-ja “do ta përfundojë punën” në rast se mes dy vendeve nuk arrihet një ujdi.
Në një postim në platformën X, Araghchi shkroi: “Negociatat për një marrëveshje përfundimtare nuk do të zhvillohen nëse kërcënimet vazhdojnë. Respektoni firmën tuaj”, duke iu referuar Memorandumit të Mirëkuptimit të arritur muajin e kaluar.
Sipas këtij dokumenti, të dyja palët angazhohen të përmbahen nga kërcënimet dhe nga përdorimi i forcës kundër njëra-tjetrës. Një ditë më herët, Trump kishte përsëritur paralajmërimet për veprime të tjera ushtarake ndaj Iranit. Ai tha se Shtetet e Bashkuara ose do të arrijnë një marrëveshje me Teheranin, ose “do të përfundojnë atë që nisën në fund të shkurtit, kur SHBA-ja dhe Izraeli ndërmorën sulme ndaj Republikës Islamike.
“Ne mund t’ua shkatërrojmë urat brenda një ore, mund t’ua ndërpresim furnizimet me energji… Tani ata nuk kanë para. Nuk u kemi dhënë asnjë cent“, deklaroi shefi i Shtëpisë së Bardhë. Këto komente u bënë ndërsa në Iran po mbaheshin ceremonitë mortore për liderin suprem, Ajatollah Ali Khamenei, i cili, u vra në fillimin e konfliktit. Ndërkohë, sekretari i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit, Mohammad Baqer Zolqadr, i ktheu përgjigje Trumpit me të njëjtin ton.
“Flisni me popullin iranian me respekt, përndryshe edhe ne do të përgjigjemi me një gjuhë tjetër“, tha ai. Raundi i fundit i bisedimeve mes SHBA-së dhe Iranit, që synojnë arritjen e një marrëveshjeje përfundimntare mes palëve, u mbyll javën e kaluar pa asnjë rezultat konkret.
