Dy gra janë dënuar me vdekje nga gjykatat iraniane për përfshirjen e tyre në protestat antiqeveritare të zhvilluara në janar, bëjnë të ditur organizata për të drejtat e njeriut.
Të lidhura
None found
Taraneh Rahimi, 20 vjeç, dhe Leila Abolhasani, 43 vjeç, u shpallën fajtore në dy procese të ndara që lidhen me demonstratat në Isfahan, të cilat arritën kulmin më 8 dhe 9 janar.
Rahimi mori dënimin me vdekje bashkë me nëntë burra të tjerë, për ngjarjet e ndodhura në një shesh të qytetit, ku humbën jetën dy persona, përfshirë një pjesëtar të forcave të sigurisë. Organizatat Hengaw dhe HRANA raportuan se të pandehur të tjerë, mes tyre edhe motra e Rahimit, Romina, u dënuan me burgime që arrijnë deri në 36 vjet.
Sipas HRANA-s, avokatët e të akuzuarve nuk kishin mundësi të konsultonin një pjesë të materialeve të dosjeve dhe nuk iu ishte lënë kohë e mjaftueshme për të shqyrtuar dokumentet dhe provat e paraqitura në gjyq.
Leila Abolhasani, e cila punon si kozmetologe dhe është nënë e dy adoleshentëve, u dënua për akuzën se kishte djegur një dyqan gjatë një proteste. Familjarët e saj i kanë kundërshtuar këto pretendime, duke thënë se ajo vetëm po regjistronte me telefon zjarrin. Rasti i saj tashmë ndodhet në Gjykatën e Apelit.
Organizata Iran Human Rights deklaron se, që prej nisjes së luftës me Shtetet e Bashkuara, autoritetet në Iran kanë ekzekutuar 29 burra për akuza që lidhen me protestat. Deri më tani, asnjë grua nuk është ekzekutuar për vepra të tilla, ndërsa të paktën 16 gra janë ekzekutuar për vepra të tjera penale.
Gjatë muajit prill, Presidenti amerikan Donald Trump u bëri thirrje autoriteteve iraniane të lironin tetë gra, për të cilat ishte thënë se rrezikonin ekzekutimin. Më pas, raportimet treguan se disa prej tyre nuk kishin marrë dënim me vdekje, ndërsa të tjera ishin liruar.
Mes tyre ishte edhe Bita Hemati, e cila ishte dënuar me vdekje nën akuzën se kishte hedhur blloqe betoni nga një çati në drejtim të forcave të sigurisë. HRANA raportoi më vonë se dënimi ndaj saj ishte anuluar.
