Një vajzë katërvjeçare në qytetin jugperëndimor, Forchajm, është infektuar me linë e majmunëve, ka bërë të ditur Instituti Robert Koch në Gjermani.
Kjo është hera e parë që Gjermania identifikon këtë virus te fëmijët.
Vajza, e cila jeton në shtëpi me dy të rritur, po ashtu të infektuar, aktualisht nuk ka simptoma.
Fëmija nuk ka qenë në kontakt me askënd jashtë shtëpisë.
Ky lajm u bë i ditur pasi autoritetet shëndetësore në Gjermani kanë identifikuar adoleshentët e parë të infektuar me këtë virus një javë më parë.
Më pak se tre muaj pas raportimit të rasteve të para të infektimit me linë e majmunëve në Gjermani, autoritetet kanë regjistruar 2.916 raste të tilla.
Pothuajse shumica e rasteve janë meshkuj dhe vetëm shtatë gra.
“Sipas njohurive aktuale, kontakti i ngushtë është i nevojshëm për bartje të patogjenit”, ka thënë Instituti Robert Koch.
“Aq sa dimë, shumica e të infektuarve nuk përballen me sëmurje të rëndë”, ka thënë Instituti.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka thënë se pak fëmijë janë infektuar me këtë virus në nivel global.
Ditë më parë, përhapja e lisë së majmunëve është shpallur emergjencë shëndetësore globale nga OBSH-ja.
Me çfarë simptoma përcillet sëmundja?
Lia e majmunëve zakonisht raportohet në Afrikën Qendrore dhe atë Perëndimore.
Ajo konsiderohet endemi në Republikën Demokratike të Kongos, ku është identifikuar për herë të parë në njerëz më 1970.
Simptomat fillestare përfshijnë temperaturë, kokëdhimbje, dhimbje të shpinës dhe muskujve.
Ndërkohë mund të dalin puçrra në fytyrë dhe trup. Ato mund të shkaktojnë djegie dhe të kruara të mëdha. Infeksioni hiqet gradualisht pas 14 apo 21 ditësh./REL