Jeffrey Hovenier, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dha disa shembuj të ndikimit që pati në partneritet mosdëgjueshmëria e Qeverisë së Kosovës për çështjen e zbatimit të rregullores që e heq dinarin serb nga përdorimi në vend.
Hovenier tha në një konferencë për media se është shumë e rrallë që në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, SHBA-ja ta kritikojë Kosovën, gjë që ndodhi në mbledhjen e fundit ku kryeministri Albin Kurti mori pjesë.
“Do t’ju jap disa shembuj. Është shumë e rrallë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që përfaqësuesi amerikan në Këshillin e Sigurimit të thotë gjëra kritike për një qeveri të Kosovës. Ambasadorja Thomas Greengield e bëri këtë”, tha Hovenier.
Ai përmendi edhe deklaratat e Ndihmës Sekretarit amerikan të Shtetit, James O’Brien se po rrezikohet partneriteti, duke kujtuar se ai e bën punën që Richard Holbrooke e bënte në vitet ’90 me marrëveshjen e Dejtonit, e cila i dha fund luftës në Bosnjë e Hercegovinë.
“Është shumë e rrallë për Ndihmës Sekretarin e Shtetit – Jim O’Brien tani, por që t’ua kujtoj se sa e rëndësishme është ajo punë kur ne po e negocionim Marrëveshjen e Dejtonit, që Ambasadori Holbrooke e mbante në atë kohë si Sekretar i Shtetit për Europën. Pra, Jim O’brien tani mban punën që Rich Holbrooke e mbante në mesin e viteve ’90 duke e bërë Dejtonin. Pra, për atë individ, shefin e Escobarit, shefin tim, ta jepte një intervistë me tonin dhe përmbajtjen që ai dha… Kjo është shumë e rrallë”, tha Hovenier.
“Dhe kështu, mendoj se kjo tashmë reflekton një problem dhe shpresa jonë është ta ndalojmë këtë”, shtoi ambasadori amerikan.
Hovenier gjithashtu tha se “përkushtimi i Shteteve të Bashkuara për popullin e Kosovës është po aq i fortë sa ka qenë ndonjëherë”.
“Ndërsa presim të festojmë të shtunën përvjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, mezi pres të jem i pranishëm për ta festuar atë që është arritur së bashku. Por kjo do të shërbejë vetëm për të nënvizuar deri diku se sa i mundimshëm është ky moment që qeveritë tona nuk duket se po punojnë në partneritet me njëra-tjetrën. Kështu që unë dua të shmang gjëra të tilla”, theksoi Hovenier.