Daniel Siad, një ndërmjetës francez në botën e modelizmit, i cili prej vitesh akuzohej se ua lehtësonte takimet grave të reja të industrisë me abuzuesin seksual të dënuar Jeffrey Epstein, u zbulua i pajetë në apartamentin e tij në Colombes, një zonë në periferi të kryeqytetit francez.
Të lidhura
None found
Konfirmimin e ngjarjes e dha Marie-Celine Loverisy, zëvendësprokurore pranë Gjykatës së Nanterre, e cila shtoi se tashmë është urdhëruar kryerja e një ekspertize mjeko-ligjore për të zbardhur rrethanat e vdekjes.
Vetëm pak kohë më parë, Siad foli për rrjetin amerikan CNN, ku këmbënguli se nuk ishte në dijeni se dy prej grave që i prezantoi personalisht me Epstein do ta padisnin më vonë për ngacmime seksuale.
Sipas rrëfimit të tij, manjati amerikan e kishte siguruar se pas dënimit të marrë në vitin 2008, ai i kishte shlyer fajet dhe episodet e tilla nuk do të ndodhnin më.
“Unë i besova. Mendoja se ai ishte një njeri serioz në punën e tij”, deklaroi Siad gjatë intervistës.
Të dhënat e zbardhura nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë zbulojnë se Epstein i transferoi agjentit francez shuma që kapnin dhjetëra mijëra dollarë. Materialet përfshijnë gjithashtu korrespondenca ku Siad e vinte në dijeni financuesin për vajza të reja që kishte njohur, e në disa raste i kalonte fotografi të manekineve apo kandidateve për poste asistence.
Një prej dialogëve të publikuar tregon se pasi Siad i përcolli një fotoje të një gruaje, përgjigjja e shkurtër e Epstein ishte: “Shumë e madhe.”
Dokumentacioni zyrtar tregon se referencat ndaj Daniel Siad kapin mbi 2 mijë përmendje në praktikën hetimore të Departamentit të Drejtësisë për dosjen Epstein.
Ndërkohë që lidhjet e Epstein me fushën e modës mbeten në qendër të vëmendjes, në Francë ishte hapur gjithashtu një proces penal në ngarkim të Siad, i cili përballej edhe me akuza për dhunë seksuale. Një modele e kishte kallëzuar për përdhunim, duke pohuar se krimi kishte ndodhur në vitin 1990, periudhë kur ai ushtronte profesionin në territorin francez. Siad i kishte hedhur poshtë në mënyrë të përsëritur të gjitha pretendimet.
