Anija e sulmuar nga rebelët Houthi, fundoset në Detin e Kuq

Anija Rubymar me flamurin e shtetit të Amerikës Qendrore Belizë, e cila ishte sulmuar nga rebelët e Jemenit Houthi, është fundosur në Detin e Kuq. Anija u godit me raketë balistike nga rebelët në 18 shkurt, ndërsa po udhëtonte përmes ngushticës Bab el-Mandeb, pikë kryesore lidhëse mes Detit të Kuq dhe Gjirit të Adenit.

Qeveria e Jemenit, e njohur ndërkombëtarisht, si edhe zyrtarë rajonalë ushtarak konfirmuan sot fundosjen e anijes.

Është hera e parë që një anije fundoset prej goditjeve të tilla, ndërsa rebelët Houthi po kryejnë prej muajsh sulme ndaj anijeve tregtare ndërkombëtare.

Këto sulme kanë bërë që shumë anije të ndryshojnë drejtim. Fundosja e anijes mund të shkaktojë devijime të tjera dhe mund të nxisë rritje të tarifave të sigurimit për anijet, duke rrezikuar rritjen e inflaciont global dhe duke ndikuar në dërgesat e ndihmave në rajon.
Komanda Qendore e Ushtrisë Amerikane kishte paralajmëaruar më herët se fundosja mund të shkaktonte dëme ekologjike në Detin e Kuq.

Kryeministri i qeverisë së Jemenit të njohur ndërkombëtarisht, Awad Bin Mubarak tha se fundosja e anijes paraqet dëm të pashembullt të mjedisit.

Rebelët e mbështetur nga Irani thonë se po veprojnë në solidaritet me palestinezët në Gazë.

Forcat amerikane dhe britanike kanë kryer sulme hakmarrëse në Jemen, për të rrëzuar dronët dhe raketat Houthi me qëllim mbrojtjen e rrugës së rëndësishme të transportit në Detin e Kuq./voa


Shtuar 2.03.2024 17:39