Deklaratat e Zohran Mamdanit, kryetarit të bashkisë së Nju Jorkut, në lidhje me një arrestim të mundshëm të Benjamin Netanyahut gjatë një vizite të mundshme në qytet për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, janë dënuar ashpër nga zyra e kryeministrit izraelit.
Të lidhura
None found
Përmes një postimi në rrjetin social X, ekipi i Netanyahut e këshilloi Mamdanin që t’i kushtonte vëmendje sfidave të brendshme të metropolit, në vend që të merrej me kritika ndaj liderit izraelit. Theksohej se ai “duhet të përqendrohet në riparimin e dëmit që politikat e tij po i shkaktojnë Nju Jorkut.” Sipas të njëjtit burim, kryebashkiaku i sapozgjedhur synon të shmangë vëmendjen nga vendimet e tij, duke goditur “udhëheqësin e shtetit hebre, demokracisë së vetme në Lindjen e Mesme”.
Kjo përgjigje erdhi pas një prononcimi që Mamdani dha për New York Times, ku ai pohoi se “vendi i Netanyahut është në Hagë”. Ai i referohej urdhër-arrestit të lëshuar ndaj kryeministrit nga Gjykata Penale Ndërkombëtare (ICC).
Mamdani e cilësoi Netanyahun si “një kriminel lufte për të cilin është lëshuar një urdhër arresti”, por pranoi se nuk ishte i sigurt nëse legjislacioni i Nju Jorkut i jepte të drejtën të ndalonte një zyrtar të huaj. “Ne do të veprojmë brenda kufijve që më lejon ligji në Nju Jork,” deklaroi ai.
