A synon vërtet negociatat Rusia me zbutjen e retorikës ndaj Ukrainës?

Nga Oleksiy Yakubin “The Moscow Times”

Dmitry Peskov, njeriu përgjegjës për ndarjen e pikëpamjeve të presidentit rus Vladimir Putin me pjesën tjetër të botës, mohoi javën e kaluar se Kremlini po përpiqej të rrëzonte qeverinë ukrainase apo të shkaktonte ndryshimin e regjimit në Kiev.

Ky ndryshim befasues sugjeron se më në fund Moska mund të jetë e përgatitur ta trajtojë Volodymyr Zelensky si udhëheqësin e Ukrainës të zgjedhur në mënyrë legjitime. Ndërsa deklarata e Peskov u prit padyshim me habi – edhe sepse Kremlini nuk dëshiron asgjë më shumë se sa pushtetin për të zgjedhur liderin e Ukrainës – pyetja e vërtetë është se pse dikush do të dëgjonte çdo gjë që ka për të thënë Peskov këto ditë.

Ndërsa dikur flitej për ndikimin e zëdhënësit të Kremlinit, 9 muajt e fundit kanë treguar plotësisht se fjalët e tij kanë pak peshë. Gjatë së njëjtës periudhë, Rusia ka humbur çdo lloj pozite ndërkombëtare që ka pasur ndonjëherë. Vetëm pushtimi i saj në Ukrainë do të mjaftonte për të arritur atë rezultat.

Por përveç kësaj, Rusia është tërhequr edhe nga organizatat dhe institucionet ndërkombëtare, ku mund të diskutohej në mënyrë të arsyeshme legjitimiteti i qeverisë ukrainase. Pse po ndryshon tani qasja e Moskës? Legjitimiteti dhe ligjshmëria e qeverisë ukrainase burojnë vetëm nga populli ukrainas.

Atëherë, cili ishte qëllimi i deklaratës së Peskov? Me sa duket, ajo synon të shpallë dëshirën e Moskës për t’u rikthyer tek një dialog i civilizuar me Ukrainën, por edhe për të hequr dorë nga pseudo-realiteti në të cilin kanë jetuar vitin e kaluar Kremlini dhe ndjekësit e tij, në këmbim të një dozë të shëndetshme të real-politikës.

Tek e fundit, asnjë agresor nuk mund t’i refuzojë bisedimet e paqes për një kohë të pacaktuar, nëse trupat e tyre nuk priten me lule nga vendasit, dhe ky nuk ka qenë rasti për ushtrinë ruse në Ukrainë për të thënë minimumin, edhe pse Kremlinit i është dashur një kohë e gjatë për ta pranuar këtë fakt.

Qeveria ruse e ka demonizuar homologen e saj ukrainase, dhe e ka vënë në pikëpyetje legjitimitetin e saj, jo vetëm që nga fillimi i pushtimit, por vazhdimisht gjatë 9 viteve të fundit, duke etiketuar qeverinë e Kievit si një grup “nazistësh të varur nga droga” dhe duke folur për “krimet e regjimit”, a thua se i gjithë vendi ishte një kamp burgjesh.

Por kohët e fundit Vladimir Putin ka filluar të përdorë termin “partnerët ukrainas” për t’iu referuar sërish qeverisë së Zelensky, diçka që ai e bëri në verën e vitit 2021. Sigurisht, në kuptimin “tregtar” të Putinit, me termin “partnerë” ai nuk etiketon saktësisht ata që janë miqtë e Rusisë.

Sepse ai i ka quajtur prej kohësh edhe vendet e Perëndimit si “partnerët” e tij. Gjithsesi ky është një hap i rëndësishëm përpara, në krahasim me termat si “nazistët” dhe “të varurit nga droga”. Gjatë verës së vitit 2021, u bënë disa përpjekje për zgjidhjen e konfliktit në Donbas. Procesi dukej i vështirë, por jo i pashpresë.

Prandaj është domethënëse që në kontekstin e marrëveshjes për eksportin e grurit të ndërmjetësuar nga Turqia dhe OKB-ja, Putini i është referuar edhe një herë qeverisë së Kievit si “partnerët e tij ukrainas”. Dhe deklarata e fundit e Peskov se Moska nuk po kërkon ndryshimin e regjimit në Ukraina, duket se vetëm sa e konfirmon këtë ndryshim të retorikës.

Kremlini duket se po rregullon gjuhën e tij rreth konfliktit, në një përpjekje për t’i sinjalizuar botës se agresori tani është gati të rikthehet në tryezën e negociatave. Për më tepër, duket se tani Rusia është gati për një lloj tjetër negociatash. Në të kaluarën, Kremlini e ka përdorur termin “bisedime” për të nënkuptuar një ultimatum dhe jo një dialog.

Por siç kanë treguar samitet e fundit në mbarë botën, askush nuk e beson më tek skemë e tillë nga Moska, duke e konsideruar atë si një manovër për të fshehur përshkallëzimin e mëtejshëm apo një pauzë shumë të nevojshme për t’u rigrupuar për operacione të reja ushtarake.

Megjithatë, Putini dëshiron tani t’u tregojë “partnerëve” të tij në Perëndim dhe Ukrainë, se ai është i përgatitur të diskutojë hapat e vërtetë drejt paqes. Edhe pse mbetet e paqartë se çfarë kupton saktësisht me këtë term. Ndoshta Rusia e ka kuptuar tashmë se retorika e saj e kërcënimit dhe ultimatumit ka dështuar, dhe rrezikon vetëm diskreditimin e mëtejshëm të Moskës dhe forcimin e statusit të Rusisë si një vend i urryer në skenën globale.

Një kthim tek real-politika për Rusinë (nëse kjo gjë po ndodh vërtet) ka nga pas një synim ushtarak por edhe politik. Kremlini ka të ngjarë ta ketë kuptuar atë që Ukraina dinte që nga fillimi i pushtimit, dhe atë që dinte Perëndimi kur Rusia u tregua e paaftë të arrinte një fitore të shpejtë.

Rusia e pushtoi fqinjen e saj me synim nisjen e një luftë hibride, për ta tërhequr NATO-n në konflikt, dhe më pas për të zhvilluar bisedime. Në vend të kësaj, ajo u përball me një luftë në shkallë të gjerë. Në një farë mase, pushtimi i ka dhënë mundësi Kremlinit të realizojë dëshirën e tij për të luftuar ndaj NATO-s në një nivel teknologjik, edhe pse e ka humbur betejën, raporton abcnews.al.

Një shenjë se Rusia është serioze në synimin për të zhvilluar bisedime me qeverinë ukrainase, është shënjestrimi i vazhdueshëm i infrastrukturës civile të Ukrainës. Ndërsa kjo taktikë nuk e ndryshon situatën ushtarake, madje po shërben vetëm për të ashpërsuar vendosmërinë e ushtrisë së Ukrainës, Kremlini po llogarit se kjo do t’i shërbejë shtimit të presionit mbi udhëheqjen e Kievit për t’i dhënë fund luftës.

Por kjo llogaritje është krejtësisht e pabazë, pasi populli ukrainas ka qenë prej kohësh i përgatitur për të duruar mungesa këtë dimër. Situata ka arritur në një pikë ku Putin së shpejti nuk do të ketë zgjidhje tjetër veçse të zhvillojë bisedime me Zelensky-n.

Ndërkohë, edhe presidenti ukrainas e ka zbutur retorikën e tij, dhe nuk po e refuzon më plotësisht idenë për t’u ulur në një tryezë me Putinin. Vetëm disa javë para fillimit të luftës, Putin buzëqeshi teksa citoi një varg nga një përrallë e njohur gjatë një konference shtypi me presidentin kazak Kassym-Jomart Tokayev.

“Të pëlqen apo jo, duhet ta durosh, bukuroshja ime!”- tha Putin, kur u pyet mbi pakënaqësinë e Ukrainës me Marrëveshjet e Minskut. Por tani rolet kanë ndryshuar, dhe Rusia është bërë vetë “bukuroshja e përvuajtur”, duke mos pasur zgjidhje tjetër veçse të buzëqeshë dhe të durojë vuajtjet që do të vijnë.

/albeu.com


Shtuar 1.12.2022 09:27