Bleu vota për koalicionin “Berisha-Meta” në Kavajë, GJKKO lë në burg Klodian Kapedanin

GJKKO ka caktuar masën arrest me burg për Klodian Kapedanin, 39-vjeçarin nga Kavaja, i cili akuzohet se bleu vota për koalicionin “Bashkë Fitojmë” të Metës dhe Berishës në zgjedhjet e 14 majit.

Kapedani u arrestua javën e kaluar me urdhër të SPAK-ut, pasi ditën e zgjedhjeve të 14 majit iu ka premtuar dhe iu ka ofruar personave para me qëllim për të marrin pjesë në votime dhe për të blerë votat.

Për 39-vjeçarin nga Kavaja nuk ka pasur asnjë kallëzim nga qytetarë apo subjekte të ndryshme politike, por korrupsioni zgjedhor është zbuluar rastësisht gjatë përgjimeve telefonike të disa personave të tjerë, të cilët janë në hetim nga SPAK për vepra të tjera panale, por që nuk kanë lidhje me korrupsion zgjedhjesh.

Bisedat telefonike dhe sms-të në aplikacione komunikimi janë kryer pak ditë para zgjedhjeve, si dhe gjatë datës 14 maj, ditë kur qytetarët po votonin. Kapedani ka mbështetur kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Fisnik Qosja,

Në përgjime nuk përmenden shuma konkrete parash në këmbim të votës, por Kapedani linte takim fizik me personat që t’u jepte paratë që të votonin pro kandidatit që ai mbështeste, ndaj kandidatit të Berishës dhe Metës, Fisnik Qosja, i cili u shpall fitues në Kavajë./albeu.com/


Shtuar 12.06.2023 10:02