Berisha zbulon prapaskenat e protestës: Qytetarë nga Konispoli e Tropoja janë futur që sot në Tiranë

Ish-kryeministri Sali Berisha ka folur për protestën që opozita do të mbajë ditën e nesërme në Tiranë.

Kujtojmë që për shkak të organizimit të samitit të BE-BP, një pjesë e mirë e Tiranës do të jetë e “paralizuar”, ashtu edhe Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” ku sipas Berishës do të mbahet edhe tubimi.

Herët në mëngjes do të mbyllen edhe rrugët hyrëse, por ish-kryeministri ka zbuluar se qytetarë nga Konispoli e Tropoja kanë hyrë që ditën e sotme në Tiranë.

“Përshëndes zhvillimin e primareve në zgjedhjen e kandidatëve në Tiranë dhe të gjithë Shqipërinë. Ju të gjithë, në një hark kohor më pak se një vit keni vendosur, keni marrë vendime të mëdha për jetën e kësaj politike. Ne do bëjmë gjithçka që të forcojmë gjithnjë e më shumë demokracinë brenda kësaj partie. Pushtetin që u takon anëtarëve.

Mjafton të hidhni sytë në një kohë kur ne japim imazhet e qytetarëve që votojnë, imazhet e krahut tjetër janë tonelatat e kokainës, janë dëshmitë për porosi vrasjesh nga eksponentë kryesorë të partisë së Shpellës. Një botë tjetër ku ekziston krimi dhe droga por jo vullneti i anëtarëve të saj. Ne do vazhdojmë të udhëheqim me shembullin tonë në mënyrë që të bindim çdo shqiptarë që të ardhme pa votën nuk ka. Sot jemi mbledhur për eveniment tjetër jashtëzakonisht të rëndësishëm. Për protestën e nesërme në orën 12 për të cilën po bëhet një betejë e madhe mediatike sa edhe ata që mirëpresin samitin, këtë ngjarje të rëndësishme për Shqipërinë dhe shqiptarët, kanë harruar samitin dhe merren me protestën tonë. Në fakt ata kanë frikë samitin, kanë frikë Europën dhe vlerën e saj.

Të ngujuar tashmë në kodin e mafies, praktikat e mafies ata çdo lloj drite i tmerron. Po të keni vënë re ju ai që mund ta quajmë me plot gojë kryeministri mafioz i shqiptarëve. Ai që mund ta quajmë kryehajdutin e Shqipërisë. E ka humbur toruan dhe merret me postblloqe. Nesër betejën e kemi me këtë person dhe qëndrimet e tij, përpjekjen e tij për ta paraqitur Shqipërinë para Europës sikur është Kuba, një vend ku njerëzit janë të shypur dhe nuk mund të ngrihen në protestë”, tha Berisha./albeu.com