Pasi ish-kryeministri Berisha tha se pjesëmarrësit në Këshillin Kombëtar të thirrur nga Basha ishin punonjësit e selisë së Partisë Demokratike, ka ardhur edhe reagimi nga kjo e fundit.
PD thekson se bëri publik emrat e anëtarëve pjesëmarrës në Këshill, ndryshe nga Kuvendi i djeshëm i Berishës sipas tyre.
“Partia Demokratike bëri publik emrat e 257 anëtarëve të Këshillit Kombëtar që morën pjesë në votimin për shkarkimin e Kryetarit të këtij Këshillit, disa anëtarëve të kryesisë dhe disa sekretarëve për moszbatim të vendimit të kryesisë në lidhje me Kuvendin e datës 18 Dhjetor. Transparenca në praninë e mediave, ndryshe nga tubimi i djeshëm, rrëzon akuzat e pabaza zotit Berisha për mungesë kuorumi. Mediat, përfshi edhe ato pranë zotit Berisha, ishin dëshmitarë të votimit të shumicës absolute të Këshillit Kombëtar kundër përçarjes dhe krijimit të strukturave paralele në emër të demokratëve”, thuhet në njoftimin e Partisë Demokratike./albeu.com/