Begaj uron Ditën e Verës: Mbarësi dhe begati në çdo shtëpi shqiptare

Përmes një mesazhi në “Facebook”, presidenti i vendit Bajram Begaj, me rastin e “Ditës së Verës”, uron mbarësi për të gjithë shqiptarët.

Begaj ndau me shqiptarët elementet tradicionale të kësaj feste, e cila kremtohet në të gjithë vendin për të lajmëruar ardhjen e pranverës.

Kreu i Shtetit, risolli në vëmendje mënyrën se si kjo festë pritej në vendlindjen e tij në të gdhirë të datës së 14 Marsit, kur fëmijët lajmëronin ardhjen e stinës së pranverës.

Mesazhi:

“Në fëmijërinë time, 14 Marsi niste me të vegjlit që shpërndanin në çdo shtëpi një plis me grurë të sapombirë, degë ulliri dhe degë lule kumbulle.

Kjo bëhej për të uruar një pranverë të begatë, të paqtë dhe të gëzuar. Mbarësi, begati dhe gëzim sjelltë kjo festë në çdo shtëpi shqiptare”, shkruan Presidenti i Republikës në profilin e tij zyrtar në facebook, ku shpërndau edhe një video me simbolin e “Ditës e Verës” së fëmijërisë së tij.


Shtuar 14.03.2024 08:58