Komisioni Evropian, së bashku me Presidencën Suedeze të Këshillit, do të organizojnë më 16 mars një konferencë të madhe donatorësh në Bruksel, për të mbledhur kontribute për ndihmë për Turqinë dhe Sirinë, në përballje me pasojat e tmerrshme të tërmetit që ka goditur pjesë të këtyre dy vendeve.
Njoftimin për organizimin e kësaj konference e ka konfirmuar të hënën Dana Spinat, zëdhënëse e Komisionit Evropian. Pritet që në këtë konferencë Komisioni Evropian të japë një kontribut të madh shtesë, por në të njëjtën kohë priten edhe donacione individuale të vendeve anëtare, të vendeve fqinje, organizatave ndërkombëtare dhe donatorëve privatë, po ashtu.
Bashkimi Evropian edhe deri tash ka ndihmuar Turqinë dhe Sirinë, përmes dërgimit të ekipeve për intervenim të shpejtë, por edhe përmes ndihmës materiale. Por, në BE vlerësojnë se nevojat për rimëkëmbje pas tërmetit, për kujdesin për njerëzit e goditur nga pasojat, do të jenë të mëdha dhe të gjata. Prandaj edhe ka vendosur të thërrasë konferencë donatorësh.
BE-ja kishte organizuar një konferencë donatorësh edhe për të ndihmuar Shqipërinë pas tërmetit. Në atë konferencë ishin premtuar mbi 1 miliard euro, si në ndihmë të pakthyeshme, ashtu edhe përmes kredive të favorshme.
Por, krahasuar me pasojat dhe dëmet e tërmetit në Shqipëri dhe hapësirën që kishte përfshirë, tërmeti i fundit në Turqi dhe Siri është një prej më të mëdhenjve që ka parë Evropa në kohën moderne. Prandaj, në BE presin dhe mobilizim të madh të donatorëve për ndihmë. /REL