Bashkëpunëtore në vrasjen e ish-burrit? Dhurata Saliaj: Nuk e dija ç’do bënte babai, kërkoj mëshirë

Gjykata e Tiranës la në burg Mexhit Picarin dhe Dhurata Saliajn, babë e bijë të arrestuar për vrasjen e Kudret Saliajt.

Ish-bashkëshortja e viktimës nuk ka pranuar të kishte dijeni për krimin e kryer nga i ati i saj, teksa ka kërkuar mëshirë nga gjykata.

“Nuk e dija ç’do bënte babai. Nuk do e lejoja kurrë babain ta vriste Kudretin”, është shprehur Dhurata Saliaj para togave të zeza këtë të martë.

“Kërkoj mëshirë, kam 3 fëmijë për të rritur”, vijoi ajo, teksa në nisje të seancës gjyqësore, u shfaq me kokën ulur të cilën e fshihte pas supeve të babait, që të mos e fiksonin kamerat e mediave.

Gjithashtu, babai i saj, Mexhit Picari mësohet se ka kërkuar falje për krimin në gjyq, ndërsa e ka përjashtuar të bijën e tij, Dhuratën nga çdo përfshirje në këtë ngjarje.

“Pistoletën e kisha në brez, nuk e mora në çantën e vajzës. Kërkoj ndjesë për çfarë kam bërë, i kërkoj falje nipërve dhe mbesave, Dhurata nuk ka pasur dijeni”, mësohet se ka deklaruar autori kryesor i krimit.


Shtuar 8.06.2021 10:09