Basha me demokratët në Fier: PD ka mision t’i dalë për zot Shqipërisë

Kreu i PD-së Lulzim Basha, ka zhvilluar sonte një takim me demokratët e Fierit. Gjatë fjalës së tij, lideri demokrat tha se, PD ka për mision t’i dalë zot Shqipërisë.

Basha gjithashtu tha se nga 13 qershori shqiptarët presin përgjigje për masakrën zgjedhore.

“Kjo familje politike ka një mision t’i dalë për zot Shqipërisë. Ne jemi e vetmja forcë politike që kemi fuqinë dhe moralin, kemi të drejtën dhe detyrën ta organizojmë këtë shumicë drejt betejës dhe drejt përmbysjes së regjimit. Ndaj miqtë e mi për këto arsye sytë e shqiptarëve do jenë përsëri te Partia Demokratike e Shqipërisë këtë të diel, pasnesër, siç ka qenë në çdo udhëkryq të rëndësishëm të historisë tonë  sepse shqiptarët do të presin përgjigje nga 13 qershori për masakrën zgjedhore.

Një përgjigje të saktë dhe të fortë për rënien e demokracisë, për pengimin e dhunshëm të ndryshimit për Shqipërinë dhe shqiptarët. Nëse nga 13 qershori ne do të pranojmë kokë ulur padrejtësitë që rëndojnë mbi demokratët dhe shqiptarët, nëse do të pranojmë në heshtje apo me alibi modelin e Edi Ramës, të oligarkisë, krimit, pushtetit dhe shtetit bërë njësh, atëherë të jeni të sigurt që na pret një natë e gjatë e ngjashme me atë që lamë pas në vitin 1990-të falë kurajës së themeluesve tanë të lëvizjes së dhjetorit dhe atyre që qëndruan përballë diktaturës”, tha Basha./albeu.com

Shtuar 11.06.2021 10:06