Bardhi: Ju jeni sot forca më e madhe sepse Edi Rama ka dështuar

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike (PD), Gazment Bardhi, nga protesta e opozitës dha një mesazh se nuk do të dorëzohen, edhe pse ai mendon se lufta është e pabarabartë.

Sipas Bardhit, Rama ka dështuar, ndërsa u shpreh se opozita u bashkua si e vetmja mundësi për tu përballur me të keqen.

Bardhi u shpreh se “në njërën anë jeni ju që doni ndryshimin, përballë nesh qëndron Rama në botën e tij që mbjell vetëm korrupsion, krim dhe shpopullim”

“Sot ne vërtetë jemi në opozitë, vërtetë kemi kaluar momente të vështira, të padenja për të qenë në lartësinë e duhur, por sot kemi me vete pasurinë më të madhe. Sot kemi me veten kurajon tuaj. Kemi dinjitetin tuaj dhe dëshirën për të luftuar dhe vullnetin për të fituar.

Ju jeni pasuria më e madhe që ka Shqipëria.

Sot të gjithë shqiptarët janë krah jush me mendje dhe zemër, ata që nuk kanë këtu ju shohin, ju mbështesin dhe duan të jenë si ju.

Jam krenar që ia dolëm të bëjmë më të mirën për PD, për opozitën. Sot jemi bërë të gjithë bashkë si e vetmja mundësi për tu përballur me të keqen

E keqja e vendit ka emrin e kryeministrit, aleatit të krimit që po shkatërron të ardhmen e familjeve shqiptare. Përtej fasadës janë dy botë të ndershme të destinuar të qëndrojnë përballë njëra tjetrës. Në njërën anë jeni ju që doni ndryshimin, përballë nesh qëndron Rama në botën e tij që mbjell vetëm korrupsion, krim dhe shpopullim.

Ju jeni sot forca më e madhe sepse Edi Rama ka dështuar. Kjo është një luftë e pabarabartë, por ne nuk dorëzohemi”, tha Bardhi.