Bardhi debat me Ramën, kryeministri: Ore po çfarë keni ju, Lulzim mbaj qetësi aty

Seanca e sotme e Kuvendit po shoqërohet me tensione mes socialistëve dhe demokratëve.

Ndërsa Rama po fliste në foltore për shpenzimet për Rrugën e Arbrit duke bërë një krahasim me Rrugën e Kombit, është ndërprerë nga sekretari i përgjithshëm i PD-së i cili ka filluar të flasë me tone të larta nga vendi.

“Ju u nisni rrugët me një buxhet dhe pastaj, bëhet një buxhet i dytë, pastaj një i tretë, e kështu me radhë. Merrni shembullin e rrugës Tiranë-Elbasan. Keni bërë një llum në të gjithë Shqipërinë”, ishte deklarata e Ramës që shqetësoi Bardhin, i cili nga vendi tha se kishte qenë qeveria Rama ajo që ndryshoi buxhetin disa herë për rrugën Tiranë-Elbasan.

Ndërkohë që Bardhi fliste nga vendi, Rama kërkoi disa herë që të lihej të fliste. “Ore nuk jam Edi Paloka unë, por më lër të flas. Ore ça është kjo? Ju ndërpreva unë ku flisnit ju?”, tha Rama, duke i kërkuar Bashës që të mbante qetësi mes të vetëve.

“Ore, që më qesh aty, a ka mundësi të vesh qetësinë aty? Të ndërpreva unë ty, kur fole?”, tha Rama./albeu.com


Shtuar 15.11.2021 12:39