Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka vijuar për të tretën ditë me radhë reagimet publike lidhur me çështjen e zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Ai kritikoi Prokurorinë e Posaçme për mosveprimin ndaj kërkesës për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e saj, duke deklaruar se të dhënat e fundit e kanë rënduar ndjeshëm pozitën penale të zyrtares.
Sipas Bardhit, hetimet kanë nxjerrë në pah dy vila të fshehura që tashmë janë sekuestruar nga drejtësia. Përveç kësaj, ndaj Ballukut janë shtuar edhe tri akuza të reja: korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.
Të lidhura
None found
Deputeti i opozitës pretendoi se, pavarësisht provave të reja, SPAK nuk po zbaton standardet që ka vendosur vetë për ndryshimin e masës së sigurisë kur rëndohet pozita penale e një personi.
“Pozita penale e Belinda Ballukut është rënduar, por SPAK nuk vepron për rëndimin e masës së sigurisë dhe vazhdon t’i japë kohë Edi Ramës për manovra politike. Pse nuk vepron SPAK? Çfarë tjetër duhet të ndodhë që drejtuesi i SPAK të mos shkelë mbi standardin e deklaruar prej vetë atij se, kur pozita penale rëndohet, rëndohet edhe masa e sigurisë?”, deklaroi Bardhi.
Kreu i grupit parlamentar të PD-së shtoi se zvarritja e vendimmarrjes po favorizon interesa të caktuara politike dhe po cenon zbatimin e ligjit. “Çdo ditë që kalon pa kërkesën për heqjen e imunitetit për arrestimin e Belinda Ballukut është në favor të ‘Aleancës së Valamarit’ kundër sundimit të ligjit,” përfundoi ai.
