Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka reaguar me tone të ashpra ndaj ngjarjeve të rënda kriminale që u shënuan të shtunën në vend, duke e konsideruar qeverinë përgjegjëse për dështimin në garantimin e sigurisë publike.
Në reagimin e tij, Balliu përmend vrasjen e një 20-vjeçari në qytetin e Korçës, përleshjen që përfundoi me plagosje në burgun e Fierit, si dhe shpërthimin me eksploziv në Durrës. Sipas tij, këto tri raste, të ndodhura brenda së njëjtës ditë, dëshmojnë përkeqësimin e rëndë të rendit publik.
Të lidhura
None found
Deputeti demokrat deklaron se qytetarët nuk ndihen më të mbrojtur as në hapësirat publike dhe as në institucionet e sigurisë, ndërsa krimi, sipas tij, nuk po parandalohet dhe goditet nga shteti.
Përgjegjësinë politike Balliu ia ngarkon kryeministrit Edi Rama, për të cilin thotë se, pas 13 vitesh në pushtet, nuk ka përmbushur detyrën kryesore të çdo qeverie: mbrojtjen dhe sigurinë e qytetarëve.
Ai sjell sërish në vëmendje denoncimet e vazhdueshme të Partisë Demokratike për lidhjet ndërmjet pushtetit dhe botës së krimit, duke i paraqitur ngjarjet e fundit si pasoja të dobësimit të shtetit.
Balliu kundërshton gjithashtu narrativën qeveritare për Shqipërinë turistike, me argumentin se propaganda dhe sukseset e pretenduara nuk përputhen me realitetin me të cilin përballen çdo ditë shqiptarët.
Situatën e rendit ai e lidh edhe me protestat që vazhdojnë prej 70 ditësh, duke deklaruar se mijëra qytetarë janë ngritur në protestë, ndër të tjera, edhe për shkak të mungesës së rendit dhe sigurisë.
Sipas Balliut, pas kronikës kriminale të së shtunës, thirrja “Rama, jepe dorëheqjen!” tingëllon edhe më domethënëse.
Deklarata e plotë:
Shqipëria, dje, e nisi dhe e mbylli ditën sërish nën peshën e një serie lajmesh për krimin.
Brenda së njëjtës ditë u vranë një 20-vjeçar në mes të qytetit të Korçës, pati një përleshje me të plagosur në burgun e Fierit dhe ndodhi një shpërthim me eksploziv në Durrës. Këto tri ngjarje të rënda nxjerrin në pah një realitet alarmues: siguria publike në Shqipëri është dorëzuar dhe është kthyer në pasiguri kronike.
Sot qytetarët nuk ndihen të mbrojtur as në rrugë, as në qytete dhe madje as pas hekurave, brenda institucioneve të sigurisë së lartë. Ndërkohë, krimi shfaq një guxim që nuk do ta kishte nëse shteti do të funksiononte realisht.
Nuk bëhet më fjalë për shifra dhe statistika, por për jetën e shqiptarëve.
Pas 13 vjetësh qeverisjeje, Edi Rama ka dështuar në përgjegjësinë më themelore të një qeverie, atë të garantimit të sigurisë së qytetarëve.
Partia Demokratike ka denoncuar në mënyrë të vazhdueshme kapjen e shtetit nga krimi, si edhe lidhjet e rënda mes pushtetit dhe botës kriminale. Pasojat e kësaj situate tashmë shfaqen çdo ditë në rrugët e Shqipërisë.
Kur vrasjet ndodhin në qendër të qytetit, dhuna depërton edhe brenda burgjeve dhe eksplozivët shpërthejnë në qytetet tona, përgjegjësia nuk kufizohet vetëm te autori i krimit. Problemi qëndron edhe te një shtet që nuk arrin ta parandalojë, ta godasë dhe ta ndëshkojë kriminalitetin.
Edi Rama mund të vijojë të promovojë Shqipërinë turistike dhe të flasë për propagandë e suksese imagjinare. Megjithatë, shqiptarët e njohin të vërtetën: në vend nuk mungojnë as kamerat dhe as propaganda, por mungon shteti.
Rendi publik nuk duhet të mbahet peng nga interesat politike apo nga lidhjet me krimin.
Vendit i duhet një shtet që përballet me kriminalitetin, jo një pushtet që bashkëjeton me të.
Përgjegjësia politike për këtë gjendje është e qartë: Edi Rama dhe qeveria e tij kanë dështuar në garantimin e sigurisë së shqiptarëve.
Mijëra qytetarët që protestojnë prej 70 ditësh kanë dalë në rrugë, ndër të tjera, edhe për rendin dhe sigurinë që mungojnë. Pas kronikës së përgjakshme të së shtunës, thirrja e tyre kryesore, “Rama, jepe dorëheqjen”, jehon me edhe më shumë vërtetësi.
