Google ka prezantuar një mjet të ri të bazuar në inteligjencën artificiale, i cili u jep përdoruesve mundësinë të vendosin elemente të sajuara mbi pamjet satelitore të Google Earth dhe të krijojnë imazhe që nuk pasqyrojnë realitetin.
Të lidhura
None found
Gjeneratori i imazheve me AI, Nano Banana 2, tashmë është integruar në Google Earth. Përmes udhëzimeve të shkruara, përdoruesit mund të ndërtojnë skenarë fiktivë mbi pamje reale satelitore, ajrore apo 3D, ndërsa rezultatet mund t’i shkarkojnë dhe t’i publikojnë në platforma të tjera.
Ky zhvillim ka shqetësuar ekspertët, të cilët paralajmërojnë se pamjet e krijuara mund të përdoren për të përhapur dezinformim. Sipas tyre, fakti që imazhet ruajnë pamjen e hartave të Google mund t’u japë atyre një nivel të rremë besueshmërie dhe t’i bëjë më të efektshme për manipulimin e opinionit publik.
Gjatë një serie testimesh të zhvilluara nga BBC Verify, sistemi prodhoi pamje të rreme të Kullës Eiffel të shembur, një grope gjigante që përpinte Piramidën e Madhe të Gizës dhe tanke ruse të vendosura në qendër të Kievit. Funksioni u vu në dispozicion të enjten.
BBC Verify nuk mori menjëherë përgjigje nga Google për rezultatet e testimeve. Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, kompania tha se “e merr shumë seriozisht dezinformimin” dhe se “ndalon krijimin e imazheve për tema të dëmshme, ndërsa përditëson vazhdimisht masat mbrojtëse”.
Henk van Ess, ekspert i inteligjencës artificiale dhe dezinformimit, demonstroi rreziqet e këtij funksioni duke krijuar pamje të një centrali bërthamor inekzistent në Iran, një kampi refugjatësh në kufirin SHBA-Meksikë dhe një spitali të rremë në Gaza, pranë të cilit ndodhej një krater bombe.
Van Ess tha se Google po bën të mundur lidhjen e pamjeve “të trilluara” me koordinata reale dhe me imazhe autentike satelitore.
“Falsifikimi nuk ka nevojë të duket bindës më vete. Ai fiton besueshmëri nga harta mbi të cilën është krijuar”, u shpreh Van Ess.
Google deklaron se të gjitha përmbajtjet e krijuara nga mjetet e saj të inteligjencës artificiale përmbajnë një filigran të padukshëm, i cili tregon se imazhi është manipuluar ose prodhuar me AI. Kompania thotë gjithashtu se përdoruesit mund të kontrollojnë një imazh përmes aplikacionit Gemini ose funksionit Google Lens, nëse kanë dyshime për autenticitetin e tij.
Megjithatë, eksperimentet e BBC Verify treguan se këto mbrojtje nuk janë gjithmonë të mjaftueshme. Në shumicën e rasteve mjetet funksionuan, por kontrollet mund të anashkaloheshin dhe Gemini në disa raste e klasifikoi si reale një pamje të rreme të krijuar në Google Earth.
Disa aplikacione të jashtme që përdoren për zbulimin e materialeve të krijuara me AI gjithashtu nuk arritën t’i identifikonin këto imazhe si të manipuluara.
Henry Ajder, studiues i përmbajtjeve të krijuara me inteligjencë artificiale, tha për BBC Verify se manipulimi i pamjeve nga zonat e konfliktit mund të ketë pasoja veçanërisht destabilizuese. Sipas tij, rreziku rritet kur ngjarjet zhvillohen me shpejtësi dhe informacioni i disponueshëm është i kufizuar.
“Gazetarët mund ta verifikojnë një imazh përpara se ta raportojnë, por jo të gjithë do ta bëjnë këtë”, deklaroi ai.
Google vijon të këmbëngulë se modeli i saj i AI ka rregulla për të ndaluar krijimin e imazheve mbi tema të dëmshme. Por BBC Verify konstatoi se këto kufizime mund të kapërcehen duke ndryshuar në mënyrë të vogël formulimin e kërkesave.
Një kërkesë për krijimin e një platforme ekzekutimi pranë Parlamentit britanik u refuzua nga sistemi. Por, pasi kërkesa u formulua në mënyrë më të përgjithshme, imazhi u gjenerua.

Në një tjetër rast, sistemi nuk pranoi të krijonte një pamje ku emri “Trump” ishte kositur në lëndinën e Shtëpisë së Bardhë, por lejoi ndërtimin e një kopshti komunitar në të njëjtin lokacion.
Ajder theksoi se, në një periudhë kur interneti po mbushet me materiale të krijuara nga AI, platformat që janë parë tradicionalisht si burime të besueshme dhe të paprekura nga kjo teknologji kanë rëndësi të veçantë për gazetarët dhe personat që veprojnë në zona krizash.
“Është shqetësuese, sepse edhe një tjetër burim tradicionalisht i besueshëm informacioni po vihet në dyshim nga mundësia që përmbajtja të jetë krijuar me AI”, tha ai.
Për një pjesë të madhe të përdoruesve, Google Earth mbetet burimi kryesor për aksesin në pamjet satelitore publike dhe përdoret edhe për shqyrtimin e zonave ku është e vështirë të shkohet fizikisht.
Bill Greer, analist gjeohapësinor dhe bashkëthemelues i organizatës jofitimprurëse Common Space, deklaroi për BBC Verify se kjo teknologji mund të godasë rëndë besimin e publikut. Ai vuri në dukje se pamjet satelitore janë konsideruar historikisht ndër burimet më të besueshme të informacionit.
Greer shtoi se pamjet satelitore të manipuluara janë përdorur edhe më herët për përhapjen e dezinformimit. Sipas tij, ndërsa qeveritë po vendosin gjithnjë e më shumë kufizime mbi aksesin në të dhënat reale, mund të përballemi me më shumë imazhe të rreme dhe më pak pamje autentike, çka do ta dobësonte edhe më tej besimin e publikut. /BBC/
