Avokatët e Berishës dhe Malltezit dorëzojnë në SPAK kundërshtimin e provave

Ditën e  shtunë, avokatët e liderit të opozitës Sali Berisha dhe të dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi, dorëzuan prapsimet në Prokurorinë e Posaçme, sa i përket materialit hetimor 500 faqe për dosjen “Partizani”.

Mbrojtja ligjore e Malltezit ka bërë 250 faqe prapësime, ku pretendohet se nuk ka vepër penale dhe se SPAK sipas saj ka bërë një hetim jo etik.

Sa u përket pasurive, avokatët pretendojnë se janë të gjitha me burime të ligjshme.

Prapësime ka bërë edhe biznesmeni Fatmir Bektashi, ku në një material prej 15 faqesh, mbrojtja ligjore e tij ka kundërshtuar disa pika në lidhje me këtë hetim.

Financierja Andia Pustina dhe Xhimi Begeja, po ashtu, brenda afatit 10 ditor nga njoftimi i akuzës bënë kundërshtimet e tyre.

Materialet i janë dorëzuar me postë Prokurorisë së Posaçme, ndërkohë që SPAK pritet të kalojë dosjen për gjykim në Gjykatën e Posaçme dhe kjo gjykatë do të ketë 10 ditë kohë, për të caktuar gjyqtarin përmes shortit si dhe seancën paraprake.

Hetimet për dosjen “Partizani” u mbyllën në datë 25 shtator, ku SPAK komunikoi akuzat.


Shtuar 7.10.2024 13:01