Atentati në Vlorë pasojë e vendimeve të drejtësisë! Si e liroi nga burgu gjyqtarja Arbana Selmanaj Shpati Lenën, i përfshirë në vrasjen e “Benit të Çeçesë”

Të tjera detaje kanë dalë nga atentati i sotëm në qytetin e Vlorës, ku mbetën të vdekur 2 persona.

Ata ishin Shpati Lena dhe Hakim Xhezo.

Sipas burimeve, gjyqtarja e Vlorës, Arbana Selmanaj urdhëroi lirimin e menjëhershëm nga qelia të Shpati Lenës 3 ditë pasi ishte arrestuar tek Uji i Ftohtë për armëmbajtje pa leje dhe moskallëzim krimi.

Arbana Selmanaj i dha masën ‘detyrim paraqitje’ Lenës, duke e bërë vendimin e gjyqtares Selmanaj tepër të dyshimtë.

Së pari, Shpati Lena ishte dënuar më parë për armëmbajtje pa leje, pra ishte një personazh me precedentë kriminal.

Së dyti, Shpati Lena, ishte i dyshuar për ngjarjen e ndodhur në 4 gusht 2019 në Plazhin e Vjetër, ku mbeti i vrarë Arben Beqiraj dhe u plagosur djali i tij dhe një i afërm i tyre.

Së treti, Shpati Lena akuzohej për armëmbajtje pa leje dhe moskallëzim krimi, dy akuza të rënda, ku vetëm për armëmbajtje pa leje si përsëritës, rrezikonte deri në 15 vite burg.

Në makinën ku ndodhej Shpati Lena janë gjetur dy armë të tipit pistoletë dhe municione. Ariel Kingji dhe Kristo Drolli kanë deklaruar se armët u përkisnin atyre, një manovër kjo për të shpëtuar Shpati Lenën, i cili ia hodhi edhe një herë drejtësisë, por jo armiqve të tij.

Kujtojmë se gjyqtarja Selmanaj e kaloi edhe Vettingun, por nga ana tjetër, vendimet e saj lënë për të dëshiruar./albeu.com/