Ende asnjë i shoqëruar në lidhje me atentatin ndaj të fortit të Niklës Marklen Haka, i cili mbeti i plagosur mesditën e së mërkurës në hyrje të fshatit të tij në zonën e Krujës.
Provat janë të pakta, por sikur të mos mjaftonte kjo, policia nuk është ndihmuar as nga viktima, i cili tani ka dhënë një tjetër version të dinamikës së ngjarjes.
I pyetur nga oficerët e Policisë teksa mbahet në ambientet e Spitalit të Traumës në kryeqytet, Marklen Haka është shprehur se është qëlluar nga përpara, në një moment që kishte ndalur makinën dhe më pas autori është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
“Po udhëtoja me mjetin e ‘Volswagen’ në drejtim të Niklës. Sapo kam përshkuar disa metra në rrugën e Niklës, jam qëlluar nga një automjet tjetër për të cilin, targën dhe llojin e mjetit nuk e di. Mjeti më ka ndjekur nga pas dhe në një moment kur kam ndaluar jam qëlluar me breshëri duke mbetur i plagosur në fytyrë. Më pas, makina është larguar nga vendi i ngjarjes”, mësohet të ketë thënë Haka.
Ky version nuk i ka bindur hetuesit e Policisë, të cilët nga provat e mbledhura në vendin e ngjarjes kanë ndërtuar një tjetër dinamikë, shkruan Panorama.