Teksa prej 38 ditësh vazhdojnë protestat e mëdha për rrëzimin e qeverisë dhe për dorëheqjen pa kushte të kryeministrit Edi Rama, profesori dhe akademiku Artan Fuga, i ka bërë apel Kuvendit të Shqipërisë që të caktojë afatet e vetëshpërndarjes së tij.
Në një reagim të shpërndarë në rrjetet sociale, Fuga theksoi se një hap i tillë do të ishte i domosdoshëm nëse deputetët kanë ende sadopak ndjenjë përgjegjësie morale dhe shoqërore.
Të lidhura
None found
“E mira është që Kuvendi i Shqipërisë të shpallë afatet e vetëshpërndarjes së tij! Nëse deputetëve u ka mbetur një fije përgjegjësie morale dhe sociale!”, shkruan Fuga.
Sipas tij, mënyra se si funksionojnë institucionet parlamentare lë shumë për të dëshiruar, ndërsa ai rrëfeu se gjatë pjesëmarrjes në komisionet e Kuvendit për kulturën, shkencën, arsimin dhe rininë është përballur, siç tha, me mungesë përgjegjësie, paaftësi dhe profesionalizëm të dobët.
“Kur më ka qëlluar të jem në komisione të Kuvendit të Shqipërisë për çështje të kulturës, shkencës, arësimit, rinisë, etj., kam vënë duart në kokë nga kotësia, nga mungesa e përgjegjësisë, nga rreshtimi partiak, nga mungesa e kompetencave profesionale”, deklaroi ai.
Fuga shtoi se këto përvoja e kanë shtyrë disa vite më parë të marrë vendimin që të mos marrë më pjesë në mbledhje të komisioneve parlamentare.
“Ishte e kotë, dukej sikur merrje pjesë në një mbledhje kukullash me mekanizma të prishur brenda barkut prej kashte”, u shpreh ai.
Postimi i plotë:
E mira është që Kuvendi i Shqipërisë të shpallë afatet e vetëshpërndarjes së tij! Nëse deputetëve u ka mbetur një fije përgjegjësie morale dhe sociale!
Për sa më përket, kur më ka qëlluar të jem në komisione të Kuvendit të Shqipërisë për çështje të kulturës, shkencës, arësimit, rinisë, etj., kam vënë duart në kokë nga kotësia, nga mungesa e përgjegjësisë, nga rreshtimi partiak, nga mungesa e kompetencave profesionale, përse jo edhe nga budallallëku i ndonjë deputeti apo deputeteje. Por, nuk rikthehem më me emra se historia i ka hedhur në kosh! Kjo më ka bërë disa vite më parë të deklaroj se refuzoj nga ai çast e tutje të marr pjesë në ndonjë mbledhje komisioni kuvendor.
Ishte e kotë, dukej sikur merrje pjesë në një mbledhje kukullash me mekanizma të prishur brenda barkut prej kashte.
