Në momentin kur pritej që Granit Xhaka të largohej nga Arsenali për t’iu bashkuar Romës në Serie A, skuadra angleze ka bërë një lëvizje të papritur.
“The Athletic” ka raportuar të premten se drejtuesit e Arsenalit, tashmë i kanë ofruar kontratë të re Xhakës.
Ky veprim i Arsenalit, thuhet se është bërë pasi trajneri Mikel Arteta dëshiron ta mbajë në klub mesfushorin kosovar, i cili ka marrëveshje personale me skuadrën e Romës.
Xhaka 28-vjeçar ka kontratë me Arsenalin deri në vitin 2023 kurse klubi ia ka ofruar atij kontratën deri në vitin 2024.
Xhaka është pjesë e Arsenalit prej vitit 2016 kur iu bashkua nga Borussia Moenchengladbachu për 45 milionë euro dhe sezonin e shkuar, pati një gol e dy asistime në 45 ndeshje.
Arsenali ka refuzuar ofertën e Romës në vlerë prej 20 milionë euro për kartonin e Xhakës.