Autoritetet greke kanë vënë në pranga 26-vjeçarin shqiptar Romarjo Tahiri, i cili dyshohet se është përfshirë në vrasjen e një shtetasi shqiptar në Selanik.
Tahiri, me origjinë nga Korça, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana. Sipas hetimeve, në vitin 2020 ai, së bashku me dy persona të tjerë, ka vrarë Spartak Dervishin.
Të lidhura
None found
Viktima dyshohet se është dhunuar fillimisht dhe më pas është goditur me mjete prerëse.
Për 26-vjeçarin, Gjykata e Korçës kishte caktuar në vitin 2021 masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja me dashje”, kryer në bashkëpunim.
Arrestimi i tij u krye në Greqi gjatë operacionit ndërkombëtar “The Wanted”, pas bashkëpunimit informativ dhe operacional mes Drejtorisë së Interpolit dhe Interpol Athinës. Tahiri u ndalua përkohësisht me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë.
Ngjarja në Selanik u denoncua në Korçë nga familjarët e viktimës, ndërsa veprimet hetimore u zhvilluan në koordinim me autoritetet greke.
Interpol Tirana vijon komunikimin me Interpol Athinën për përfundimin e procedurave të ekstradimit të 26-vjeçarit në Shqipëri.








