Në një reagim në rrjete sociale, Demokratët Evropianë (PDE / EDP), kanë reaguar në lidhje me pezullimin nga detyra dhe dhënien e masës së arrestit shtëpiak për kreun e Shërbimit Informativ Shtetëror Vlora Hyseni nga GJKKO, me urdhër të SPAK.
Demokratët Evropianë, theksojnë se zhvillimet kundër Hysenit janë jashtëzakonisht serioze dhe se drejtësia duhet t’i shqyrtojë akuzat kundër saj në pavarësi të plotë dhe pa ndërhyrje.
Të lidhura
“Urdhri i pezullimit dhe arrestit shtëpiak në lidhje me Vlora Hyseni, kreun e Shërbimit Informativ Shtetëror të Shqipërisë, është një zhvillim jashtëzakonisht serioz. Akuzat e raportuara kundër saj tani duhet të shqyrtohen nga autoritetet gjyqësore kompetente, në pavarësi të plotë dhe me respekt të plotë për prezumimin e pafajësisë”, shkruajnë ata.
Në reagim, theksohet gjithashtu se këto zhvillime përforcojnë rëndësinë e shqetësimeve që ngrenë qytetarët çdo ditë në protestë.
“Nga polemika mjedisore rreth projektit të resortit që nxiti lëvizjen, qytetarët kanë kërkuar më shumë transparencë, llogaridhënie dhe respekt për sundimin e ligjit”, thuhet më tej.
Demokratët kërkojnë gjithashtu që institucionet, të lejojnë drejtësinë të bëjë punën e saj në mënyrë të pavarur dhe pa ndërhyrje.
“E ardhmja evropiane e Shqipërisë kërkon institucione të forta demokratike, një gjyqësor të pavarur, llogaridhënie të vërtetë dhe një luftë pa kompromis kundër korrupsionit. Kjo është ajo që meriton populli shqiptar”.
Vlora Hyseni, u pezullua nga detyra e kreut të SHISH dhe ndaj saj u caktua masa e sigurisë “arrest në shtëpi” si person në hetim për dy vepra penale, nxjerrje e sekretit hetimor dhe përkrahje të autorit të krimit.
Hyseni dyshohet se me informacione sekrete ndihmoi në arrati Ergys Agasin, i akuzuar dhe i arrestuar në gusht si kreu i një grupi të strukturuar kriminal në aferën e AKSHI-t.
REAGIMI I PLOTË:
Urdhri i pezullimit dhe arrestit shtëpiak në lidhje me Vlora #Hyseni, kreun e Shërbimit Informativ Shtetëror të #Shqipërisë , është një zhvillim jashtëzakonisht serioz. Akuzat e raportuara kundër saj tani duhet të shqyrtohen nga autoritetet gjyqësore kompetente, në pavarësi të plotë dhe me respekt të plotë për prezumimin e pafajësisë.
Në të njëjtën kohë, këto zhvillime përforcojnë rëndësinë e shqetësimeve të ngritura nga #FlamingoRevolution. Nga polemika mjedisore rreth projektit të resortit që nxiti lëvizjen, qytetarët kanë kërkuar më shumë transparencë, llogaridhënie dhe respekt për sundimin e ligjit.
Nuk duhet të nxirren përfundime para se procesi gjyqësor të ketë përfunduar. Por, kur hetimet arrijnë në nivele kaq të larta të shtetit, të gjitha institucionet duhet të përgjigjen me transparencë të plotë dhe të lejojnë drejtësinë të funksionojë në mënyrë të pavarur dhe pa ndërhyrje.
E ardhmja evropiane e Shqipërisë kërkon institucione të forta demokratike, një gjyqësor të pavarur, llogaridhënie të vërtetë dhe një luftë pa kompromis kundër korrupsionit. Kjo është ajo që meriton populli shqiptar.


