Armë dhe kanabis në makinë, arrestohet 22-vjeçari, në kërkim drejtuesi i automjetit

Një 22-vjeçar është arrestuar në Shkodër dhe një tjetër është shpallur në kërkim, pasi janë kapur me armë dhe drogë.

22-vjeçari ishte pasagjer në makinën e bashkëmoshatarit të tij, shtetasi T.P. dhe gjatë kontrollit të automjetit atij iu gjet armë zjarri.

Shtetasi T. P. ka braktisur automjetin dhe duke përfituar nga kushtet e errësirës, ndërsa në makinë u gjetën një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis.

Njoftimi i policisë:

Shkodër/Finalizohet operacioni policor i koduar “Kontigjenti”. Sekuestrohen armë dhe drogë.

Lëvizte si pasagjer në një automjet, i armatosur me pistoletë, kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 22-vjeçari.

Shpallet në kërkim drejtuesi i automjetit, pasi shërbimet e Policisë gjetën në këtë automjet, një sasi lënde narkotike kanabis.

Sekuestrohen një armë zjarri pistoletë dhe një sasi lënde narkotike kanabis.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Shkodër, të mbështetura nga inteligjenca informative, për 2 shtetas që lëviznin me automjet, me sende të kundërligjshme me vete, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Kontigjenti”, si rezultat i të cilit u kap dhe u vu në pranga shtetasi B. C., 22 vjeç, si dhe u shpall në kërkim shtetasi T. P., 22 vjeç, të dy banues në Shkodër.

Në lagjen “Liria”, shërbimet e Policisë kanë ndaluar për kontroll, automjetin që drejtohej nga shtetasi T. P. dhe ku ishte pasagjer shtetasi B. C. Shtetasi T. P. ka braktisur automjetin dhe duke përfituar nga kushtet e errësirës, ka mundur t’u shmanget shërbimeve të Policisë. Vijon puna intensive, me qëllim kapjen e tij.

Ndërkaq, gjatë kontrolleve të ushtruara ndaj shtetasit B. C. dhe në automjet, shërbimet e Policisë gjetën në çantën e 22-vjeçarit, një armë zjarri pistoletë, ndërsa në automjet gjetën një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis.

Në cilësinë e provës materiale, u sekuestruan një armë zjarri pistoletë dhe një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime te metejshme, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. /albeu.com


Shtuar 10.01.2023 10:54