Arjan Sala do të kishte shpëtuar po të ishin mjetet e duhura, kreu i sindikatës tregon mungesën e mjeteve të punës

Ngjarja e fundit ku nga një zjarr në magazinat e një qendre tregtare këtu në Tiranë, humbi jetën një person, solli në vëmendje përveç të tjerash edhe situatën jo edhe aq optimale të shërbimit tonë zjarrfikës, pavarësisht punës vërtetë heroike të punonjësve të këtij shërbimi.

Pas 24 orë përpjekjesh edhe forcat zjarrfikëse janë dorëzuar dhe kanë kërkuar ndihmën e ushtrisë e cila ka dërguar dy grupe të specializuara për ndërhyrjet në rastet e zjarrit. Kjo ka treguar edhe një herë mungesën e kapaciteteve dhe pajisjeve të shërbimit zjarrfikës për ngjarje të cilat kanë nevojë për ndërhyrje të specializuara.

Por nuk është vetëm kaq: Sot një zjarrfikës nuk merr rrogën që meriton dhe as pushimet që i takojnë me Kod Pune, ndërkohë që çdo ditë ai përballet jo vetëm me rrezikun për jetën, por edhe me mungesa të theksuara në punën e përditshme.

I ftuar në “Wake Up”, kryetari i Sindikatës së Pavarur të Zjarrfikësve, Bledar Barjami deklaroi se nuk kanë pajisjet dhe as veshjet e duhura për të përballuar situata të vështira.

“Rrobat zjarrduruese janë për një zjarr banese, për një zjarr në ambiente të jashtme që e durojnë zjarrin deri në një pikë. E kam ngritur edhe më parë si mungesë. Rrobat që ne kemi është njësoj si ato që ke një mish ta mbështjellësh me letër alumini ta fusësh në furrë.

Kamerat termike ne nuk i kemi pasur kurrë. Bombolat tona arrijnë deri në 20 minuta të durojnë dhe oksigjeni vjen shumë i ngrohtë kur ka temperatura të larta.

Ne marrim kompresorë dhe kompromojmë ajrin me bombola. Kjo nuk është e shëndetshme dhe nuk është zgjidhje,. Vendos kompresorët, ndërron bombolat”, deklaroi Barjami.

I pyetur nëse do kishin pajisjet e duhura, gjërat do kishin shkuar ndryshe për Arjan Salën, ai u shpreh: “Them se po. Shpimi i soletës nga lart me aparatura të posaçme dhe të mbushej magazina nga sipër me shkumë, me ujë, me shkumë do të ishte efikase.

Të paktën nuk do kishim përfunduar kështu, tre ditë duke fikur një zjarr. Trupi i njeriut ka një veti që asimilon menjëherë dioksidin e karbonit. Zjarrfikësit kanë punuar 24 orë pa ndërprerje”.


Shtuar 30.03.2021 08:29