Argita Malltezi: Drejtësia është e kapur nga Edi Rama deri në Gjykatën Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese është e kapur nga mazhoranca tha në një dalje për mediat vajza e ish-kryeministrit të vendit Sali Berisha, Argita Malltezi, lidhur me vendimmarrjen që kjo gjykatë pritet të japë për babain dhe bashkëshortin e saj.

“Unë sot nuk kam asnjë dyshim për kapjen e sistemit të drejtësisë në të gjithë zinxhirin e saj. Për kapjen e Gjykatës së Lartë, për kapjen e Gjykatës Kushtetuese. Por është detyrë e secilit prej nesh të besojmë dhe të shpresojmë për normalitetin. Ne betejat i bëjmë dita-ditës. Kjo është një betejë për ta fituar. Do fitojmë njëherë këtë betejë dhe nuk kam asnjë dyshim që do fitojmë, pavarësisht se cilat do jenë modalitetet dhe ulje-ngritjet që do kemi”, tha Argita Malltezi.

Të lidhura

None found

Po aq, Argita Malltezi tha se betejën për të liruar nga arresti shtëpiak Sali Berishën dhe Jamarbër Malltezin do vijojnë në gjykatën e të drejtave të njeriut.

E pyetur nëse do të përfshihet në politikë, në frontin e parë të opozitës Malltezi u përgjigj:

“Unë nuk kam thënë në mënyrë kategorike jo ndonjëherë, kam thënë që politika nuk është në planet e mia të ardhshme. Unë mendoj se kontributi i gjithsecilit mund të jetë edhe pa u angazhuar në politikë, duke mbështetur kauza të caktuara. Kuptohet që unë jam një njeri i angazhuar politik për shkak të rrethanave familjare.”

Ish-kryeministri Sali Berisha prej 100 ditësh ndodhet i izoluar në shtëpi pasi akuzohet se ka kryer korrupsion me ish- kompleksin sportiv “Partizani”, pronë që dikur ishte publike. SPAK thotë se ai nxori akte nënligjore për të favorizuar dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi.


Shtuar 12.04.2024 16:21