Ankimimet e Berishës dhe Alibeajt në KAS, caktohen relatorët në mbledhjen e KQZ-së

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbajtur mbledhje ditën e sotme ku është hedhur shorti për caktimin e relatorëve  për të trajtuar ankimimin e dorëzuar nga grupi i Berishës dhe ai i Alibeajt.

Pas hedhjes së shortit rezultoi që kërkesën e grupimit të Berishës që të jetë ai përdoruesi i logos së Partisë Demokratike në këto zgjedhje do ta relatojë Ilir Rusmali.

Rusmali ka qenë ministër gjatë qeverisjes së Berishës, por i distancuar prej tij vite më parë dhe së fundmi “i djegur” nga ish-kryeministri në garën për Avokat të Popullit, do të paraqesë kërkesën për logon e PD-së si dhe argumentet e tij se kush duhet ta përdorë atë në 14 maj.

Ndërkohë për ankimimin  e Alibeajt, ndaj KQZ e cila nuk njohu shkresën e Lulzim Bashës për të autorizuar regjistrimin e PD në zgjedhje, relator është caktuar Koli Bele.

Ndërkohë në mbledhjen e sotme është caktuar edhe relatori i ankimimit të Lëvizjes Bashkë të drejtuar nga Arlind Qori, i cili do të jetë Elvis Çefa.


Shtuar 12.03.2023 10:43