Analiza e DW: A duhet të dërgojë Gjermania armë në Ukrainë?

Gjermania nuk do të dërgojë armë në Ukrainë – madje as për mbrojtje. Vendi po i shmanget diskutimeve për këtë temë dhe deri tani ka dërguar vetëm helmeta.

Kjo është dhe ka qenë një nga temat kryesore kontradiktore në politikën e jashtme gjermane prej shumë vitesh: Gjermania është një nga eksportuesit më të mëdhenj të armëve në botë.

Ajo është aktualisht në vendin e katërt, pas SHBA-së, Rusisë dhe Francës. Prodhuesit gjermanë të armëve kanë eksportuar kohët e fundit produktet e tyre për gati nëntë miliardë euro, kryesisht në Korenë e Jugut, Algjeri dhe Egjipt.

Në të njëjtën kohë, qeveria e re dhe ajo e vjetër, mbetet në qëndrimin se nuk duhet dërguar armë në rajonet e konfliktit.

Kjo po ndodh edhe tani, në krizën gjithnjë e më të thellë në kufijtë e jashtëm të Ukrainës, në të cilën lëvizjet ruse kaherë kanë marrë përmasa të frikshme, ndërsa SHBA-ja pohon se sulmi rus ndaj Ukrainës mund të fillojë në ditët e ardhshme.

Por kancelari Olaf Scholz dhe ministrja e Jashtme Annalena Baerbock mbështeten tërësisht te diplomacia. Pas javë të tëra hezitimesh të çuditshme, ata nisën një ofensivë të vërtetë bisedimesh, e cila kulmoi me vizitën e Scholz në Kiev dhe më pas në Moskë.

Përmbajtja në situata të vështira

Ka arsye të mira për këtë qëndrim gjerman që të mos furnizojë me armë palët në rajonet e krizave apo të përfshira në luftë. Sidomos në një rajon që dikur vuajti nga një pushtim i tmerrshëm gjerman.

Rreziku i nxitjes së konflikteve me dërgimin e armëve me siguri që është i madh. E saktë është po ashtu që nuk ka të shtëna për sa kohë që palët në konflikt janë ende duke folur me njëri-tjetrin.

Një problem tjetër edhe më i madh është që në Gjermani, veçanërisht në mesin e partive në pushtet, nuk ka një debat vërtet serioz se kur ky qëndrim nuk është më në rregull.

E kjo ka të bëjë me faktin se është ngulitur fort në mentalitetin gjerman të pasluftës që vendi të frenohet kur situata bëhet e vështirë. Çdo dërgim i Bundeswehrit jashtë vendit – nga Afganistani e deri në Mali, është refuzuar dhe ende refuzohet nga shumica e popullsisë në sondazhe. Partitë kaherë e kanë kuptuar këtë.

Gjermania bën biznes me të gjithë botën, përfshirë edhe tregtinë me armë. Por në konflikte mbetet gati pacifiste – ndonëse ka pasur edhe përjashtime.

Në rastin e partisë socialdemokrate, SPD, për shembull, ky qëndrim shkon shumë prapa, deri në kohën e politikës së çtensionimit të Willy Brandt. Ndërsa të Gjelbrit i kanë rrënjët e tyre në lëvizjen e paqes të viteve 1970 dhe 1980. Ka kohë që shumë zëra thonë se këto qëndrime nuk mund të qëndrojnë gjithmonë. Në kongresin e fundit të ekologjistëve ka pasur edhe kërkesa për ndihmë ushtarake për Ukrainën. Por kërkesat nuk janë miratuar.

Një nga përjashtimet e pakta ishte pjesëmarrja gjermane në luftën e Kosovës në Ballkan më shumë se 20 vjet më parë. Një vendim që thuajse i shpërbëu të Gjelbrit, që asokohe drejtoheshin nga ministri i Jashtëm, Joschka Fischer.

Veçoritë e konflikteve

Ajo që nevojitet tani është një debat i sinqertë se çfarë roli dëshiron të luajë Gjermania në një situatë gjeopolitike që po ndryshon – duke përfshirë edhe rolin e saj ushtarak. Prej kohësh është e qartë se SHBA-të, për shembull, po i drejtohen gjithnjë e më shumë rajonit të Paqësorit, ndërsa nga Evropa po kërkojnë që të marrë në duart e veta konfliktet në rajonin e saj. Kjo do të mbetet kështu, dhe nëse Presidenti i SHBA/së Biden fokusohet më shumë në Evropë, sesa paraardhësi i tij Donald Trump. Por në terma afatmesëm dhe afatgjatë, Gjermania nuk mund të mbështetet më vetëm tek amerikanët, e ndoshta edhe britanikët dhe francezët, që ata të kryejnë punët e pista.

Kjo nuk është një thirrje për armatim dhe eksport të pakufishëm të armëve, që nuk merr parasysh historinë e Gjermanisë. Por, pavarësisht se sa i besueshëm mund të jetë pozicioni aktual i qeverisë, do të kishte po aq argumente të mira për të kundërtën në rastin e Ukrainës. Dhe ende ka. Ukraina ka kërkuar këto ditë një numër të madh raketash gjermane antitank.

Apeli është: Le të jemi të sinqertë dhe të marrim një vendim të posaçëm për çdo konflikt – duke ruajtur gjithmonë bazat e qëndrimit gjerman. Nga ana tjetër, më në fund duhet të merremi seriozisht me eksportin e armëve. Sepse përmbajtja është tejkaluar prej kohësh si parim – veçanërisht ndaj shteteve në të cilat të drejtat e njeriut shkelen me këmbë. /DW


Shtuar 15.02.2022 13:34