Ambasadorët e SHBA-së dhe Gjermanisë reagojnë pas djegies së mjeteve në veri të Kosovës

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ka thënë se vendi i tij dënon “djegien kriminale të veturave në veri të Kosovës”.

“Qeveria e Kosovës ka përgjegjësi që t’i mbrojë qytetarët e saj dhe të sigurojë llogaridhënie për këto akte kriminale”, ka shkruar ai në Twitter.

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rode, shkroi se pse Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – nuk i dënoi incidentet në komunat në veri.

“Është shumë shqetësuese që Lista Serbe nuk e dënoi përsëri djegien e veturave të qytetarëve. Të gjithë duhet të jenë të bashkuar në dënimin e kësaj praktike”, shkroi ai në Twitter.

Nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, më pas deklaroi se këto pohime të ambasadorit gjerman janë të pasakta, ngase sië tha ai, së bashku me kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq, e kanë dënuar djegien e veturave në veri.

Më herët, më 2 prill, në një konferencë për media, Simiq tha se djegia e veturave me targa të Kosovës është “e papranueshme”.

Mbrëmjen e së shtunës janë djegur tri vetura në Leposaviq, komunë e banuar me shumicë serbe në veri të Kosovës. Dy prej veturave ishin me targa RKS, ndërsa njëra me targa të Beogradit.

Më 1 prill, Policia e Kosovës njoftoi se e kishte arrestuar një pjesëtar të komunitetit serb në Mitrovicën e Veriut nën dyshimin se, ndër të tjera, ka marrë pjesë në djegien e një veture.

Pas këtij arrestimi, Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës e mbështetur nga Beogradi zyrtar, e cilësoi arrestimin në Mitrovicë të Veriut si “vazhdim të keqtrajtimit të popullit serb” dhe paralajmëroi se nëse i arrestuari nuk lirohet, do të shkaktohet “reagimi nga serbët”.

Djegia e veturave ka filluar vitin e kaluar, kur nisi procesi i ri-regjistrimit të veturave me targa KM në targa RKS. Targat KM lëshohen nga autoritetet e Serbisë dhe Kosova i konsideron ilegale.

Ky proces shkaktoi tensione në terren. Fillimisht, më 31 korrik u ngritën barrikada për këtë çështje, e më pas në nëntor serbët u larguan nga institucionet e Kosovës në veri shkaku i suspendimit të drejtorit të Policisë për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili refuzoi ta zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrim në targa RKS.

Ndërkohë, Kosova dhe Serbia, me insistimin e bashkësisë ndërkombëtare, në fund të nëntorit të vitit të kaluar arritën një marrëveshje për targat, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Kosova pranoi të pezullojë procesin e ri-regjistrimit ndërsa Serbia u pajtua të mos lëshojë targa të reja për makinat që qarkullojnë në Kosovë.

Vlerësohet se në veri të Kosovës janë rreth 10.000 vetura të regjistruara me targa KM./rel