Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka publikuar një njoftim për shtetasit amerikanë lidhur me protestën që po zhvillohet këtë të martë në mbrëmje në Rrugën e Durrësit.
Sipas ambasadës, tubimi pranë Sheshit Skënderbej ka marrë një karakter të dhunshëm pas hedhjes së gurëve. Në njoftim theksohet se protesta mund të shtrihet edhe në zonat përreth, përfshirë blloqet dhe ndërtesat qeveritare.
Të lidhura
None found
Autoritetet amerikane paralajmërojnë se zhvillimet mund të sjellin shtim të forcave të policisë, pengesa në qarkullim, devijime të trafikut dhe mbyllje rrugësh.
“Një protestë në Rrugën e Durrësit, ngjitur me Sheshin Skënderbej, është duke vazhduar aktualisht dhe është shndërruar në të dhunshme për shkak të hedhjes së gurëve. Protesta mund të zgjerohet në blloqet dhe ndërtesat qeveritare aty pranë, duke shkaktuar potencialisht prani të shtuar të policisë, ndërprerje të trafikut, devijime dhe mbyllje rrugësh”, thuhet në njoftimin e ambasadës.
Shtetasit amerikanë këshillohen të shmangin zonat ku po zhvillohen demonstratat, të qëndrojnë të vëmendshëm dhe të vendosin sigurinë personale mbi çdo gjë tjetër.
Ambasada u kërkon gjithashtu të ndjekin raportimet e mediave lokale dhe të respektojnë udhëzimet e autoriteteve vendase të zbatimit të ligjit për informacionet më të fundit.




