Aksidenti tragjik në Tepelenë/ Shkuan për të festuar lindjen e nipit, darka u kthye në mort

Mes dhimbjes, Lavdosh dhe Lefteri Begaj, u përcollën në banesën e fundit në qytetin e Memaliaj. Ata ishin bërë gjyshër për herë të parë dhe mbrëmjen e së dielës, 17 Mars, po shkonin të festonin lindjen e nipit, por humbën jetën në aksident.

62-vjeçari Lavdosh Begaj, punonjës i OST po drejtonte makinën “Toyota”, ku pasagjerë kishte bashkëshorten, krushqit Jani dhe Lavdie Meta dhe nënën e moshuar të Jani Metës.

Në “bypass”-in e Tepelenës, makina e tyre u përplas nga një Benz që drejtohej nga 42-vjeçari Riza Rrapaj, i cili gjithashtu humbi jetën.

Nga përplasja e fortë, ndërroi jetë 90-vjecarja Afërdita Meta, e cila u përcoll këtë të hënë në banesën e fundit.

Aksidentit të rëndë i shpëtuan çifti Jani dhe Lavdie Meta, të cilët janë shtruar në spitalin e Traumës.

Jashtë kamerës, fqinj dhe të afërm thanë me dhimbje se familjes Begaj iu mbyll dera e shtëpisë.

Ata kishin dy vajza të martuara, ndërsa ishin bërë gjyshër për herë të parë. Mbrëmjen e së dielës, ishin nisur për të festuar lindjen e nipit në një lokal në periferi të Tepelenës.

Vajza e Lavdosh Begajt, është e martuar me djalin e Jani Metës. Ndaj dy çiftet, krushqi me njeri-tjetrin, ishin nisur së bashku në një makinë për tek restoranti ku do organizohej darka festive.

Ndërsa ne fshatin Izvor te Memaliajt, iu dha lamtumira 42-vjecarit Riza Rapaj. Faturisti i OSHEE-së, dyshohet se shkaktoi aksidentin fatal.

Shpejtësia ishte e lartë dhe lagështia në rrugë, sollën devijim e korsisë dhe përplasjen e Benzit me Toyotën mbrëmjen e së dielës në aksin Memaliaj-Tepelenë.


Shtuar 18.03.2024 13:08