Shoferi i ambulancës që u përfshi në aksident ditën e djeshme në Shkodër, është arrestuar nga policia.
Sipas policisë, 65-vjeçari u vu në pranga për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Uniformat blu, thonë se 65-vjeçari duke drejtuar ambulancën e spitalit të Koplikut ka kryer një parakalim të gabuar.
Për pasojë ka përplasur një makinë.
Nga kjo ngjarje ka humbur jetën shoferi 57-vjeçar i makinës, ndërsa u plagosën gruaja e tij dhe vajza. Ato ndodhen në spitalin e Shkodrës jashtë rrezikut për jetën.
“Në vijim të informacionit të dhënë ditën e djeshme, për një aksident në aksin rrugor “Shkodër- Hani i Hotit”, ju informojmë se specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore arrestuan shtetasin P. S., 65-vjeç, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”. 65-vjeçari duke drejtuar autoambulancën e Spitalit të Koplikut, si rezultat i një parakalimi të gabuar ka përplasur automjetin me drejtues shtetasin A. K., 57-vjeç, i cili si pasojë ka humbur jetën, dhe janë dëmtuar dy pasagjeret shtetaset S. K.,43-vjeçe, dhe D. K., 18-vjeçe,(bashkëshortja dhe vajza e shtetasit A. K), të cilat ndodhën në Spitalin Rajonal Shkodër, jashtë rrezikut për jetën”, njoftoi policia.