Aksident tragjik në Brazil, autobusi që transportonte ekipin e futbollit bie nga ura, 4 viktima dhe shumë të plagosur

Një aksident i rëndë ka ndodhur në Brazil, ku një autobus që transportonte lojëtarët e një ekipi futbolli ka rënë nga ura.

Shumica e viktimave ishin adoleshentë dhe i përkisnin ekipeve të të rinjve të Vila Maria Helena, një klub futbolli rinor në Rio de Zhaneiro.

Sipas raportit të fundit nga Brigada e Zjarrfikësve, në mesin e viktimave janë përfshirë tre adoleshentë të moshës 14 deri në 17 vjeç dhe një i rritur dhe shumë të tjerë janë plagosur.

Sipas mediave lokale, aksidenti ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së hënës, pranë komunës Alem Paraiba në shtetin Minas Gerais, kur autobusi ra nga një urë 10 metra pasi shoferi humbi kontrollin e mjetit.

Të lënduarit janë dërguar në qendrat shëndetësore aty pranë. Skuadra e Vila Maria po kthehej fitimtare pas pjesëmarrjes në finalen e turneut të Copa Nacional, ku kishte fituar titullin në U-18 dhe nënkampione në U-16. /albeu.com


Shtuar 31.01.2023 09:52