Protestat e studentëve në Shqipëri çdo ditë e më shumë kanë tërhequr vëmendjen e mediave botërore. Agjencia spanjolle e lajmeve EFE shkruan se, “Shqipëria përjetoi të premten ditën e katërt radhazi të protestave studentore kundër qeverisë, të shoqëruara me episode dhune dhe përplasje me policinë”.
Në artikullin e saj agjencia thotë se protestuesit akuzojnë autoritetet për korrupsion dhe përkeqësimin e kushteve ekonomike, ndërsa qeveria ka bërë të qartë se nuk do të japë dorëheqjen.
Të lidhura
None found
Ndërkohë, opozita e djathtë ka bërë thirrje për mobilizim të mëtejshëm.
Sipas agjencisë spanjolle të lajmeve EFE, protestuesit dhe policia kishin arritur një marrëveshje në mëngjes për zhvillimin paqësor të marshimit.
Megjithatë, pasditja dhe mbrëmja u shoqëruan sërish me incidente, fillimisht pranë Ministrisë së Arsimit dhe më pas përpara selisë së Kryeministrisë, ku grupe protestuesish hodhën gurë ndaj forcave të rendit. Policia iu përgjigj me gaz lotsjellës dhe autobotë me ujë.
“Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, ku ndodhet selia e qeverisë, u mbush sërish me gurë kalldrëmi të përdorur gjatë përplasjeve dhe me copa xhamash nga vitrinat e thyera të bizneseve”, shkruan agjencia.

Rama përjashton dorëheqjen, Berisha kërkon mobilizim
EFE më tej ndalet edhe te deklarata e kryeministrit Edi Rama, i cili ka përjashtuar sërish mundësinë e dorëheqjes, duke u kërkuar qytetarëve durim dhe duke siguruar se vendi do ta kapërcejë krizën dhe do të dalë prej saj më i fortë.
“Rama, i cili është në pushtet që prej vitit 2013 dhe u rizgjodh në muajin maj me shumicë absolute, akuzoi të enjten opozitën se qëndron pas protestave.
Nga ana tjetër, Partia Socialiste ka deklaruar se synimi i protestave është të pengohet procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, shkruan agjencia.
Kreu i opozitës së djathtë, Sali Berisha, u bëri thirrje mbështetësve të tij të premten që të solidarizohen me studentët të shtunën.
“Historia po u bën thirrje të gjithë shqiptarëve të mblidhen nesër në Tiranë”, deklaroi Berisha, 82-vjeç, i cili ka qenë president i Shqipërisë nga viti 1992 deri në vitin 1997 dhe kryeministër nga viti 2005 deri në vitin 2013. Ai aktualisht është nën hetim për korrupsion.
Protestat përhapen edhe në qytete të tjera
Që nga e enjtja, protestat janë shtrirë edhe në qytete të tjera të vendit. Tubime dhe marshime janë zhvilluar në Lezhë, Shkodër, Elbasan, Kurbin, Rrëshen dhe Fushë-Arrëz, mes qyteteve të tjera.
Shqipëria mbetet një nga vendet më të varfra të Evropës dhe përballet me shqetësime të vazhdueshme lidhur me korrupsionin dhe koston e jetesës.
Protestat studentore janë pjesë e një lëvizjeje më të gjerë qytetare, e cila nisi në maj kundër planeve të qeverisë për zhvillimin e një projekti luksoz ne jug te vendit.
Nga kjo lëvizje është zgjeruar një mobilizim mbarëkombëtar kundër korrupsionit, rritjes së kostos së jetesës dhe problemeve në sistemet e shëndetësisë dhe arsimit. Protestuesit dhe kundërshtarët politikë të kryeministrit kanë shprehur gjithashtu pakënaqësi ndaj asaj që e cilësojnë si arrogancë të kreut të qeverisë.





