Afro 50 milionë euro investim, Kosova drejt forcimit të lidhjeve hekurudhore me rajonin

Linja 10 është lidhja e vetme e Kosovës për të ndarë rajonin me hekurudhë, duke e lidhur Kosovën në jug me Maqedoninë e Veriut, Bullgarinë, Greqinë dhe në veri me Evropën Qendrore. Rehabilitimi i kësaj hekurudhe përmes këtij projekti do të rris lidhjen rajonale dhe do të lehtësojë importin dhe eksportin me gjithë rajonin.

Infrastruktura e hekurudhave të Kosovës është ndër shtyllat më të fuqishme ekonomike e vendit, e cila me rehabilitimin e linjës hekurudhore Fushë Kosovë-Mitrovicë, do të arrijë të ngritët në cilësi dhe siguri, duke i përmbushur të gjitha kërkesat teknike që kërkohet në rrjetin hekurudhor pan-evropian.

Kështu u tha në ceremoninë e fillimit të punimeve të fazës së dytë për rehabilitimin e linjës së 10 hekurudhore Fushë Kosovë-Mitrovicë, dhe përfshin 34.4 kilometra me një kosto prej 48 milionë eurosh.

Në këtë ceremoni po ashtu u bë me dije se 50% e kësaj shume është grant i Bashkimit Evropian, ndërsa 50% të tjera është kredi nga dy institucione të ndryshme bankare.

Kryeministri Albin Kurti e cilësoi rehabilitimini kësaj hekurudhe si paraprije të zhvillimit ekonomik.

“Me situatën e volitshme ekonomike dhe potencialin zhvillimor, projekti si ky i sotmi shërbejnë nismave të qeverisë për të rritur bashkëpunim për zhvillim ekonomik. Kjo lidhje hekurudhore do të rezultojë në përmirësim te kapacitetetit hekurudhor si për udhëtarë, po ashtu edhe për mallra dhe në përmirësim te dukshëm edhe të kohës së udhëtimit, do të transportojmë më shumë, do të shkojmë më shpejtë. Në këtë linjë do të zhvillohet qarkullimi i trenave me një shpejtësi prej 80 km h deri 120 km h, e po kaq e rëndësishme kjo linjë do të operojë emetime të zvogëluara të gazit… Përndryshe, transportin hekurudhor njihet mirë si transport i gjelbër, realizimi i tërësishëm i rehabilitimit gjeneral dhe modernizimit të linjës së dhjetë hekurudhore pritet të përfundojë në vitin 2024-2025 , kështu Kosova do të ketë një linjë hekurudhore e cila i plotëson të gjitha kërkesat e interoperabilitetit të përcaktuara sipas direktivave të Bashkimit Evropian”.

Kurse, shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog është shprehur i kënaqur që në fund të këtij viti po nis një pune kaq të rëndësishme për Kosovën.

“Linja 10 është lidhja e vetme e Kosovës për të ndarë rajonin me hekurudhë, duke e lidhur Kosovën në jug me Maqedoninë e Veriut, Bullgarinë dhe Greqinë dhe në veri me Evropën Qendrore. Rehabilitimi i kësaj hekurudhe përmes këtij projekti do të rris lidhjen rajonale dhe do të lehtësojë importin dhe eksportin dhe qarkullimin e udhëtarëve në të gjithë rajonin. Ndërtimi dhe infrastruktura ndërlidhëse krijon lidhje dhe mundësi për bizneset dhe njerëzit. Kjo është arsyeja pse Bashkimi Evropian e ka vënë ndërlidhjen në agjendën tonë, që synon përmirësimin e lidhjeve midis Ballkanit Perëndimor, por edhe me lidhjet rajonale me BE-në, dhe hekurudhat janë në qendër të agjendës së lidhjes si mjete të qëndrueshme transporti”, tha ai duke përmendur gjithashtu strategjinë e lëvizshmërisë së qëndrueshme dhe të zgjuar të BE-së dhe marrëveshjen e gjelbër evropiane, dy dokumentetkëto strategjike që vënë më tej në fokus zhvillimet e sistemeve të transportit hekurudhor në Bashkimin Evropian.

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, deklaroi se këto projekte do të pasohen me ato të sinjalisitkës dhe telekomunikacionit dhe me pas edhe me elektrifikimin.

Ai tha se përpos përfitime në mjedis të transportit hekurudhor, Kosova do të përfitojë edhe në aspektin ekonomik ku u shpreh se lidhet me Korridorin 10.

“Kjo linjë është e rëndësishme sepse siguron kyçje në Korridorin 10, dhe Kosovës ia dhuron mundësitë e kyçjes në porte që janë Porti i Selanikut dhe i Pireut përmes Korridorit 10. Pastaj përmes Kosovës hapen mundësitë drejt Bashkimit Evropian dhe që natyrisht do të duhet të pasohen edhe me rehabilitimin e të gjitha hekurudhave në vendin tonë e që është politikë parësore e vendit tonë sot në fushën e transportit… Tani jemi në fazën drejt fillimit të studimit të fizibilitetit të kyçjes së linjës hekurudhore mes Prishtinës dhe Portit të Durrësit e që i bie që kjo linjë, Korridori 9, bashkë me Korridorin 8, të kyçen me korridorin Jon-Adriatik e që do të jetë linja hekurudhore që rehabilitohet nga Durrësi në drejtim të Hanit të Hotit, pra me Malin e Zi, e pastaj kjo linjë hekurudhore të lidhet me Korridorin 10 përmes Prishtinës”.

Ushtruesi i detyrës së Infrastrukturës së Hekurudhave të Kosovës, Uran Mulaj tha se infrastruktura e hekurudhave të Kosovës si aset shtetëror, është ndër shtyllat më të fuqishme ekonomike e vendit.

“Infrastruktura e hekurudhave të Kosovës si aset shtetëror, është ndër shtyllat më të fuqishme ekonomike e vendit, e cila me këtë projekt do të arrijë të ngritet në cilësi dhe siguri duke i përmbushur të gjitha kërkesat teknike që kërkohet në rrjetin hekurudhor pan-evropian. Duke e bërë atë infrastrukturë moderne e cila do të mundësoj kushte cilësore dhe të sigurta operatorëve të transportit hekurudhës për transportin e mallrave dhe udhëtarëve, si transport më i lirë, i siguritë dhe ekologjik. Me këtë projekt synojmë që përveç rehabilitimit të trasesë edhe të aseteve tjera përcjellëse si platforma për udhëtarë, platformën e re për mallra në Mitrovicë urat lëshesa, kryqëzimet në nivel të cilat do të arrihet siguri më e qëndrueshme në kryqëzimet hekurudhë-rrugë. Po ashtu, do të rehabilitojmë edhe stacionet dhe vendqëndrimet për udhëtar ku edhe ky stacion ku jemi me këtë projekt do të merr pamje të re. Në këtë ditë të rëndësishme për INFRAKOS-in po fillojmë fazën e dytë të linjës së 10 hekurudhore Fushë-Kosovë-Mitrovicë, e cila do të pasohet menjëherë vitin e ardhshëm edhe me fillimin e projektit të sinjalizimit për këto dy faza gjë që do t’ia shtoj vlerën rehabilitimit të kësaj infrastrukture e kështu me mbështetjen e qeverisë dhe partnerëve të saj do të vazhdojmë me projektin për fazën e tretë deri në përfundimin e rehabilitimit të komplet linjës së 10 hekurudhore Han Elezit kufi me Maqedoninë e Veriut deri në Leshak kufiri me Serbinë”, tha ai.

Ndërkaq, ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Artane Rizvanolli tha se zhvillimi i infrastrukturës së hekurudhave është shtysë e re e zhvillimit ekonomik dhe se Qeveria do të vazhdojë ta mbështes INFRAKOS-in, por në të njëjtën kohë kërkoi transparencë gjatë realizimit të projekteve.

Projekti i Linjës 10 përfshin rehabilitimin e hekurudhës nga Hani i Elezit deri në Lishak. Në vitin 2019 ka nisur loti i parë që është rehabilitimi i segmentit nga Hani i Elezit deri në Fushë Kosovë, ndërsa tani ka filluar pjesa e dytë nga Fushë Kosova deri në Mitrovicë, ndërsa loti i tretë konsiston në rehabilitimin e hekurudhës nga Mitrovica deri në Lishak.

Rehabilitimi dhe përmirësimi i 34 kilometrave të hekurudhës Fushë-Kosovës-Mitrovicës ka filluar të hënën në një ceremoni solemne.

Punimet do të kryhet për 15 muajt e ardhshëm në vlerë prej është 48 milionë euro, nga të cilat BE-ja siguron 27 milionë përmes Planit Ekonomik dhe të Investimeve për Ballkanin Perëndimor dhe 41 milionë euro përmes Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) dhe Bankës Evropiane të Investimeve.

Rehabilitimi përfshin zëvendësimin e kthesave të vjetër, shinave dhe pragjeve të trenit, si dhe rinovimin e tuneleve dhe urave.

Linja hekurudhore 10 që shkon nga Maqedonia e Veriut, mbi Kosovë dhe në Serbi është 256 kilometra e gjatë; ku 148 kilometra janë në Kosovë.

Me investimin e ri prej 27 milionë euro, kontributi i drejtpërdrejtë i BE-së në përmirësimin e hekurudhave në Kosovë ka arritur vlerën prej 91 milionë, ndërsa BERZH-i dhe BEI po investojnë bashkërisht në të njëjtën shumë./monitor


Shtuar 19.12.2022 21:20