Pas dështimit të raundit të tretë për zgjedhjen e presidentit të ri të Shqipërisë, Partia Socialiste pritet të mbledhë gjatë ditës së premte Kryesinë.
Mbledhja pritet të mbahet rreth orës 17:00 dhe kjo lëvizje në radhët e socialistëve vjen në kuadër të raundit të katërt.
Tashmë janë socialistët që kanë në dorë zgjedhjen e presidentit dhe pritet që të dalin me emrin konkret.
Gjithashtu bëhet me dije se pas kryesisë do të ketë dhe një mbledhje të grupit parlamentar i Partisë Socialiste ku do të diskutohen emrat e më pas do të kalojë për votim. Ndërkohë të shtunën pritet të zhvillohet një seancë e posaçme për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.
RENDI I DITËS:
- Informacion mbi mbledhjen e kandidaturave për kryetarët e partisë në 61 bashkitë e vendit dhe procesin e mëtejshëm;
- Udhëzim mbi detyrat e të deleguarve në funksion të zbatimit të kalendarit politik të miratuar në Asamble;
- Projektvendim për miratimin e nivelit të pagave të Sekretarëve Ekzekutiv në nivel Qarku dhe Sekretarëve Ekzekutivë të partisë në nivel bashkie. Projektvendim për miratimin e nivelit të pagave të strukturës organizative të aparatit qendror të Partisë Socialiste;
- Ecuria e procedurave të zgjedhjes së Presidentit të Republikës dhe vendimmarrja e Partisë Socialiste;
- Çështje të tjera jashtë rendit të ditës. Mbledhja do të zhvillohet ditën e premte, datë 03.06.2022, ora 17:00, në Selinë e Partisë Socialiste./albeu.com/