A ka Shqipëria ekonomi për të pritur afganët? Rama për BBC: Ne jemi të pasur në shpirt!

Shqipëria dhe Kosova janë ndër shtetet e para që kanë hapur dyert për shtetasit afganë që po braktisin vendin e tyre për të shpëtuar jetën pas pushtimit telebat.

Kryeministri Rama dhe Shqipëria janë vënë në qendër të vëmendjes për shkak të kësaj nisme, të refuzuar nga shumë shtete pjesë të BE.

“Nuk jemi vend i pasur, por ja ku jemi sërish, kështu që financiarisht, moralisht e në gjithçka nuk mendoj se u dëmtuam. Mendoj që ajo përvojë na pasuroi më shumë moralisht…”- ka deklaruar kryeministri Rama gjatë një interviste për BBC duke shprehur gatishmërinë për mirëpritjen e afganëve pavarësisht gjendjes së vështirë ekonomike në Shqipëri.

INTERVISTA ME BBC:

Gazetari i BBC: Shqipëria nuk është vend anëtar i BE-së, por është në NATO dhe ka rënë dakort që tu ofrojë strehim afganëve që do të shkojnë drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Grupi i parë pritet të mbërrijë këto ditë dhe në vijim mund të strehohen deri në 3 mijë të tillë. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama na tregoi pse vendi i tij u ofrua t’i pranonte.

Edi Rama: Sepse është ajo ç’ka ne jemi. Shqipëria ishte i vetmi vend në Europë që kishte më shumë hebrenj pas Luftës së Dytë Botërore sesa përpara saj dhe arsyeja ishte se në Shqipëri ne kishim një kod nderi, që thotë se nuk ka turp më të madh në jetë se të dorëzosh mikun. Kështu, hebrenjve këtu iu dha strehë dhe është një nga faqet më të bukura të historisë. E dyta, ne ishim afganët disa dekada më parë kur u larguam nga Shqipëria, kështjella e Koresë së Veriut të Europës në një diktaturë brutale dhe trokitëm në dyer dhe u mirëpritëm. Sigurisht, me shumë vështirësi, por u mirëpritëm. Së treti, sepse mendoj që duhet ta bëjmë edhe për fëmijët tanë. Fëmijët tanë duhet të kuptojnë se kjo është bota ku jetojmë. Ne mund të mos jemi të pasur, po nuk mund t’ia lejojmë vetes të kemi kujtesë të shkurtër…

Gazetari i BBC: Siç po thoni, ju nuk jeni vend i pasur. Mund t’ju duhet t’i strehoni këta njerëz për një farë kohe. A do të jetë barrë e madhe për Shqipërinë në aspektin praktik?

Edi Rama: Mos harroni një gjë, në Evropën Perëndimore njerëzit i kanë harruar luftërat. Luftërat për ta janë thjesht dokumentare në Netflix. Për ne, luftërat kanë qenë këtu dhe kemi parë luftëra. Kemi parë tmerret e luftës dhe na është dashur të ofrojmë strehë në Shqipëri jo shumë kohë më parë. Asokohe, unë isha ministër i Kulturës, kur strehuam rreth gjysmë milioni refugjatë nga Kosova, të cilët po i iknin spastrimit etnik. Mbijetuam, ja ku jemi. Nuk jemi vend i pasur, por ja ku jemi sërish, kështu që financiarisht, moralisht e në gjithçka nuk mendoj se u dëmtuam. Mendoj që ajo përvojë na pasuroi më shumë moralisht.

Gazetari i BBC: Sot, është zhvilluar një debat mjaft i fortë në parlament, këtu në ëestminister, rreth pozicionit të Mbretërisë së Bashkuar, asaj ç’ka duhet të ndodhë dhe pse vendet e tjera nuk ia dolën të parashikonin sa shpejt do ta merrnin kontrollin talebanët dhe janë ngritur pikëpyetje lidhur edhe me vetë NATO-n, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendosën të vepronin të vetme në thelb dhe vende të tjera, si Mbretëria e Bashkuar, që kishin trupa atje, ndjenë se nuk patën zgjedhje tjetër përveçse të tërhiqeshin edhe ata. A mendoni se kjo e ka vënë në një farë mënyre në pikëpyetje qëllimin e NATO-s?

Edi Rama: Më duket sinqerisht e paarsyeshme që fajësimi i ShBA-së po përdoret për t’iu kthyer kurrizin afganëve të cilët kanë nevojë për ne tani. Së pari, të shpëtojmë njerëzit e më pas të debatojmë si të duam për NATO-n, për pushtimin, për mospushtimin e me radhë. Sigurisht që tërheqja ishte vendim i njëanshëm i ShBA-së, por jemi të gjithë bashkë pjesë e kësaj.

Gazetari i BBC: Po a nuk është e drejtë që disa prej nesh të pyesin a jemi pjesë të gjithë bashkë, nëse Amerika tërhiqet në mënyrë të njëanshme?

Edi Rama: Po, është e vërtetë, keni të drejtë, por, tani, kjo nuk është arsye për t’iu kthyer kurrizin këtyre njerëzve, e kam fjalën, njerëzve që kanë nevojë për strehë. Unë e kam diskutuar këtë në samitin e NATO-s dhe jam shprehur se e di për çfarë flas, pasi ne kemi jetuar në një regjim që ishte si ai i talebanëve. Na duhet të mendojmë për të nesërmen e njerëzve që kanë punuar për ne, pasi ata do të etiketohen si tradhtarë e do të trajtohen si tradhtarë dhe trajtimi i tyre si tradhtarë në atë regjim nënkupton vdekjen.

Gazetari i BBC: Atëherë, edhe një mendim të fundit fare për refugjatët. Mbretëria e Bashkuar ka deklaruar sot se do të pranojë 20 mijë persona brenda disa viteve, duke filluar me 5 mijë, por do të ketë disa vende evropiane, të cilat mund të vendosin se nuk janë të gatshëm të pranojnë refugjatë. Ju dhatë argumentin moral se përse vendi juaj vendosi të bënte atë që bëri. Çfarë mesazhi do të kishit për aleatët evropianë që janë skeptikë, që janë të pasigurt lidhur me pranimin e refugjatëve nga Afganistani?

Edi Rama: Nuk e di… Nuk e di çfarë do të thotë 20 mijë veta brenda shumë viteve, pasi ne duhet t’u gjendemi atyre që kanë punuar me ne dhe janë mijëra e mijëra, e mijëra, e mijëra të cilëve duhet tu gjendemi krah sot, jo përgjatë shumë viteve, por ato mund të mbyllen, mund të bëjnë ç’të duan….

Gazetari i BBC: Pra, ishte Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. /albeu.com/

 

 


Shtuar 19.08.2021 16:07