8 dhjetori, Berisha: Studentët ishin të armatosur me guxim, Azem Hajdari shkallmoi dyert e mbyllura të lirisë

Në Ditën e Rinisë, ish-kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar homazhe në shtatoren e Azem Hajdarit te Qytet Studenti

Gjatë fjalës së tij, Berisha u shpreh se lëvizja e dhjetorit i dha fund regjimit diktatorial, ndërsa ishte Azem Hajdari ai që shkallmoi dyert e myllura të lirisë për Shqipërinë dhe shqiptarët.

“Të dashur Fatmira dhe Azem dhe shumë anëtarë të grupit të dhjetorit ‘90. I atyre ditëve në të cilat rinia studentore e udhëhequr nga prijësi i saj, nga djali zemër luan, Azem Hajdari, ndau historinë, ndau epokat e shkallmoi dyert e mbyllura të lirisë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Sot në mblidhemi në këtë shesh ku edhe filloi revolucioni paqësor më i madh në historinë e kombit shqiptar. Revolucion paqësor i cili do të sillte vendosjen e pluralizmit politik në Shqipëri dhe përmbysjen e diktaturës së egër staliniste të Enver Hoxhës. Në këtë kontekst, ata që nisën këtë revolucion, Azem Hajdari që i priu me guxim të jashtëzakonshëm firmosën në historinë e kombit një nga faqet më të ndritura të lirisë së tij. Lëvizja studentore e dhjetorit 90, studentë të cilët njerëzit më të shtypur, më pesimistë do t’i quanin engjëjt e demokracisë, u përballën ato ditë me një betejë që të kujton dhe ngjason me atë të Davidit dhe Golias. Me vendosmërinë e tyre të hekurt, studentët të mbështetur nga pedagogë dhe qytetarë të Tiranës ia dolën të mposhtin diktaturën komuniste. Betejat e dhjetorit ishin beteja të pabarabarta. Në një anë studentët të armatosur vetëm me guximin e tyre dhe në anën tjetër tanket, gazi lotsjellës dhe terrori i policisë sekrete shqiptare. Por asgjë nuk mund të mposhtë përpjekjet e rinisë për liri dhe dinjitet njerëzor. Ndaj këtu nisi beteja e cila do të shndërrohej me shpejtësi në uragan”, tha Berisha./albeu.com


Shtuar 8.12.2021 12:49