43 vite karrierë! Rrugëtimi i Ruçit nga strukturat e PPSH deri tek dorëheqja e sotme

Gramoz Ruçi, një nga figurat kryesore të Partisë Socialiste, kolonë dhe institucion për strukturat drejtuese socialiste, ka vendosur të tërhiqet nga politika, duke hequr dorë edhe nga mandati që mori në zgjedhjet e 25 prillit 2021. Ruçi vendosi një standard në politikën shqiptare duke u bërë politikani i parë që tërhiqet nga politika si fitues, pikërisht disa javë pasi Partia Socialiste fitoi mandatin zgjedhjet parlamentare, për të tretën herë radhazi. Po kush është Gramoz Ruçi dhe cili është rrugëtimi i tij në politikën shqiptare, si pjesë niveleve më të larta drejtuese të Partisë Socialiste?

Gramoz Ruçi ka lindur në Tepelenë, më 6 dhjetor 1951. Studimet e larta i kreu në Institutin e Lartë Pedagogjik, dega Bio-Kimi. Nga viti 1971 deri në vitin 1978 ka ushtruar profesionin mësuesit në Progonat. Ruçi e ka nisur veprimtarinë politike që në vitin 1978 si pjesë e Partisë së Punës. Në vitin 1988, Gramoz Ruçi u emërua Sekretar i Parë i Partisë së Punës i rrethit të Tepelenës. Në periudhën shkurt-qershor të vitit 1991 Gramoz Ruçi ka qenë Ministër i Punëve të Brendshme. Kjo ishte edhe detyra e tij e fundit në postet ekzekutive.

Në qershor të vitit 1991, Gramoz Ruçi ishte një ndër themeluesit kryesorë të Partisë Socialiste. Nga themelimi i PS-së deri në vitin 1999 Ruçi ishte Sekretar Organizativ i Partisë Socialiste. Gjithashtu, nga viti 1992 deri në vitin 1999 Ruçi ishte kryetar i grupit parlamentar të PS-së. Gjithashtu, Ruçi, gjatë periudhës qershor 1991 deri në qershor 1999, ishte edhe Sekretar i Përgjithshëm i PS?së.

Momentet e vështira për Gramoz Ruçit ishin në vitin 1996, ku u përndjekur nga Sali Berisha dhe pushteti i tij me natyrë kriminale, iu desh të ikte si refugjat ekonomik në Greqi, deri në vitin 1997, kur Berisha ishte përmbysur nga pushteti dhe bashkëpunëtorët e tij ishin arratisur. Ruçi ishte një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të liderit të parë të PS, Fatos Nano dhe më pas një nga mbështetësit kryesorë dhe këshillues i Edi Ramës, që nga viti 2005 deri më sot, siç edhe deklaroi edhe Rama në fjalimin e tij në Kongresin e PS-së.

Nga viti 2010 deri në vitin 2017, Gramoz Ruçi ka mbajtur postin e kryetarit të Grupit Parlamentar të PS-së. Nga viti 2010 deri në vitin 2017, Ruçi ka mbajtur edhe postin e kryetarit të Asamblesë Kombëtare të PS-së si dhe ishte pjesë e forumeve më të larta të PS. Në shtator të vitit 2017, Gramoz Ruçi dha dorëheqjen nga të gjitha funksione drejtuese në Partinë Socialiste, duke u pasuar nga Taulant Balla. Pas dorëheqjes nga funksionet partiake, në vjeshtën e vitit 2017, Gramoz Ruçi u zgjodh kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, funksion të cilin do ta ushtrojë deri në shtator, kur të konstituohet parlamenti i ri që doli nga zgjedhjet e 25 prillit 2021. /shqiptarja.com

Shtuar 12.06.2021 21:34