25-Vjetori i Çlirimit të Kosovës/ Albin Kurti: BE është synimi ynë politik dhe NATO destinacioni ushtarak

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se 25-vjetori i çlirimit të vendit, është ditë e veçantë. Në seancën speciale që po mbahet në Kuvendin e Kosovës, ai tha se është e rëndësishme të përqendrohemi në të tashmen për të reflektuar mbi rrugën që kemi kaluar deri këtu.

Gjithashtu, Kurti shtoi se 12 qershori i vitit 1999 është fiksuar si dita e çlirimit të Kosovës, sepse atë ditë dhjetëra e mijëra ushtarë të NATO-s kaluan kufirin dhe u futën si trupa këmbësorie në territorin e Kosovës.

“Kjo erdhi pas fushatës 78 ditore të bombardimeve të NATO-s mbi Serbi në përpjekje për ta ndaluar spastrimin etnik dhe gjenocidin që shteti serb po e kryente mbi shqiptarët në Kosovë”, tha Kurti.

Kryeministri shtoi se 25 vjet pas çlirimit, duam marrëdhënie të mirë me fqinjët, me njohje e pa sulme.

“Të bashkohemi fizikisht e shpirtërisht si sot në Kuvend e sheshet e qyteteve, për të shënuar një ngjarje historike që e ka sjell të tashmen dhe e ka përcaktuar të ardhmen. Sikur atëherë edhe tani Serbia rri e rreshtuar prapa Rusisë. Kosova ka shkuar në vazhdimësi duke forcuar aleancat e saja me vendet partnere. BE është familja jonë e synuar politike, kurse NATO është destinacioni ynë ushtarak”, tha Kurti.
Kurti theksoi se pikërisht se kemi vuajtur dhe kemi humbur, tash duam që Kosova e të gjithë qytetarëve ta gëzojnë, shumica shqiptare me pakicat.

“Duam marrëdhënie të mira fqinjësore, e njohje, pa sulme. Kurrë më të lirë e të pavarur nuk kemi qenë”, ka thënë ai.