“10 milionë njerëz pa energji elektrike”/ Temperatura të ulëta dhe borë, vështirësohet situata në Ukrainë

Ukrainasit po përballen me ulje temperaturash dhe borë, ndërsa mungesa e energjisë elektrike po e vështirëson akoma më shumë situatën

Tashmë 10 milionë banorë në Ukrainë kanë mbetur pa energji elektrike, e cila pasohet me mungesë ngrohjeje.

Inxhinierët po përpiqen të rregullojnë sa më parë defektet, por dëmet e shkaktuara nga sulmet ruse janë të konsiderueshme.

“Për shkak të një rënie dramatike të temperaturave, konsumi i energjisë elektrike po rritet çdo ditë në ato rajone të Ukrainës ku furnizimi tashmë është rikthyer pas sulmeve masive me raketa më 15 nëntor, në infrastrukturën energjetike. Kjo e komplikon situatën tashmë të vështirë në sistemin energjetik”, tha Ukrenergo, një operator i sistemit të transmetimit të energjisë elektrike në Ukrainë dhe i vetmi në transmetimin e tensionit të lartë të vendit.

Ukrenergo deklaroi se po kufizonte përdorimin e energjisë elektrike në disa zona si një masë e nevojshme për të ruajtur stabilitetin e sistemit energjetik, ndërsa ekipet po punojnë për rregullimin e problematikave.

Sipas presidentit Volodymyr Zelensky, breshëria e fundit e bombardimeve nga Moska synoi infrastrukturën energjitike në shumë qytete të Ukrainës, duke lënë 10 milionë njerëz pa energji elektrike.