Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia do të mbajë sot një takim me kryetarët e Komunave të Kosovës.
Takimi mes ministrit Vitia dhe Asociacionit të Komunave të Kosovës do të zhvillohet online dhe do të filloj në ora 10:00. Temë diskutimi do të jenë masat antiCOVID-19 e të cilat masa po kërkohen që të hiqen.
Një ditë më parë, pra të mërkurën Këshilli i Kryetarëve në kuadër të Asociacionit të Komunave të Kosovës ka mbajtur takimin online lidhur me situatën e tashme pandemike nëpër komuna me virusin Covid-19.
Kryetarët e Komunave në këtë takim kanë diskutuar edhe për masat e tashme, zbatimin e tyre, efektin dhe për situatën pas datës 18 prill kur skadojnë këto masat e reja.
Në fund Kryetarët e Komunave janë dakorduar për rekomandimet e pushtetit lokal ndaj pushtetit qendror lidhur me situatën pandemike dhe masat e reja në këtë drejtim dhe në anën tjetër respektimin e masave nga ana e qytetarëve.
Ata i kanë rekomanduar qeverisë që të heqin orën policore dhe që gastronomisë t’i hiqen masat dhe të udhëzohen që të respektojnë distancën fizike edhe përmes tavolinave.
Po ashtu Qeverisë i është rekomanduar që të kenë prioritet vaksinimin e popullatës, të amandamentohet Ligji mbi pandeminë, të zbatohet pakoja e fundit e përkrahjes ekonomike dhe që të fillohet me pako të re përkrahëse.
Ndërsa, po sot pronarët e sallave të dasmave mbajnë takim lidhur me masat anti-Covid.