Vrasja e tre personave në Deçan, Policia dyshon se sulmuesi kishte shtënë me AK-47

Tre persona kanë mbetur të vrarë mbrëmë nga një sulm me armë zjarri që ka ndodhur në autobusin që ishte duke lëvizur në fshatin Gllogjan të Deçanit.

Policia përmes raportit 24 orësh, ka njoftuar se autobusi është sulmuar me armë zjarri që dyshohet të jetë AK-47, transmeton Telegrafi.

“Është raportuar se një autobus derisa ishte duke bartur udhëtarë (nxënës) është sulmuar me armë zjarri (dyshohet të jetë AK-47) nga një i dyshuar i panjohur. Në këtë rast lëndime vdekje-prurës ka pësuar drejtuesi i autobusit, viktima mashkull kosovar, vdekjen e të cilit e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Ndërsa tri viktima, dy meshkuj dhe një femër (nxënës) janë dërguar në Spitalin Rajonal Pejë, dy prej tyre kanë ndërruar jetë (një mashkull dhe një femër ) ndërsa viktima tjetër është duke u trajtuar në spital”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Më tej në njoftim thuhet se njësitet relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes, ndërkaq i dyshuari gjendet në arrati dhe rasti është në procedurë hetimore.

Për vrasjen e mbrëmshme ka pasur reagime të shumta, kurse zëvendësdrejtori i Policisë Rajonale të Pejës, Veton Elshani, ka deklaruar se dyshimet e para bazuar në hetime, tregojnë se sulmuesi i autobusit mund të ketë qenë i vetëm, në kryerjen e veprës së rëndë në Gllogjan të Deçanit ku vdiqën tre persona, shoferi dhe dy nxënës.

Numri dy i Policisë Rajonale të Pejës, ka përjashtuar mundësinë e ndonjë akti terrorist. Ndërsa tha se kanë angazhuar të gjitha njësitet elite policore të rajonit e shumë shpejt pritet t’iu bashkohen edhe ato nga Prishtina, të udhëhequra nga Drejtori i Përgjithshëm.

“Nuk mendohet e as bëhet fjalë për ndonjë akt terrorist. Nuk ka aso lajme që mund të qarkullojnë. Bëhet fjalë për ngjarjen tronditëse, vrasje të trefishtë dhe një të plagosur në gjendje stabile në spital. Kemi angazhuar të gjitha njësitet elite, njësiti me qen, specialët dhe shumë shpejt bashkohet edhe Prishtina, që nga Drejtori i Përgjithshëm. Kaq mund të them”, ka deklaruar Elshani.

Ndërsa, zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, bën thirrje që kushdo që ka ndonjë informacion për këtë rast të bashkëpunojë me Prokurorinë dhe Policinë, në mënyrë që kryerësi e këtij krimi të kapet dhe të dalë sa më shpejtë para drejtësisë.

Në anën tjetër, kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj ka thënë se ndjehet i tronditur dhe i trishtuar nga sulmi kriminal në Gllogjan, ku kanë humbur jetën tre persona, prej të cilëve dy nxënës.

Ai ka bërë apel që sa më shpejt të zbardhet rasti dhe të kapet autori i krimit. /Telegrafi/


Shtuar 27.11.2021 10:29