Hashim Thaçi do të mbetet në paraburgim deri në dhënien e aktgjykimit në çështjen e përbashkët gjyqësore ndaj tij, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Të lidhura
None found
Kërkesa e ish-presidentit të Kosovës për lirim është rrëzuar nga Trupi Gjykues i Dhomave të Specializuara në Hagë, i cili ka urdhëruar vazhdimin e paraburgimit. Ky përbën vendimin e 27-të me të cilin masa ndaj Thaçit zgjatet.
Në vendimin e marrë më 10 gusht, gjyqtarët kanë arritur në përfundimin se, në këtë fazë, nuk disponojnë informacion të mjaftueshëm për të vlerësuar se Thaçi mund t’i ikë drejtësisë nëse lirohet.
Pavarësisht kësaj, Trupi Gjykues ka çmuar se ekziston ende rrezik i mjaftueshëm që ai të ndërhyjë në ecurinë e procedurave të Dhomave të Specializuara ose të ushtrojë ndikim mbi dëshmitarët.
Në arsyetimin e vendimit thuhet se Paneli nuk ka aktualisht të dhëna të mjaftueshme për të konstatuar se z. Thaçi do t’i shmangej drejtësisë po të lirohej. Megjithatë, sipas standardit përkatës, Paneli është bindur se ka rrezik të mjaftueshëm që ai të pengojë zhvillimin e procedurave të Dhomave të Specializuara dhe të kryejë krime të tjera ndaj personave që perceptohen si kundërshtarë të UÇK-së, përfshirë dëshmitarët që kanë paraqitur prova në këtë çështje.
Shpallja e aktgjykimit për Thaçin, Veselin, Selimin dhe Krasniqin parashikohet të bëhet më 16 shtator 2026.
Me të njëjtin vendim, kryegjyqtari Charles Smith ka udhëzuar palët që të mos dorëzojnë parashtresa të tjera për rishikimin e radhës të paraburgimit të Thaçit, i cili, sipas afateve, duhej të mbahej më 9 tetor 2026.
Trupi Gjykues ka vlerësuar se një shqyrtim i tillë nuk nevojitet më në këtë moment, për shkak se seanca e shpalljes së aktgjykimit është planifikuar për 16 shtator.
Paneli ka sqaruar se, në bazë të nenit 41(10), rishikimi i ardhshëm i paraburgimit të z. Thaçi në parim është paraparë për të premten, më 9 tetor 2026, përveç rastit kur Aktgjykimi i Gjykimit shpallet para kësaj date.
Procesi gjyqësor kundër Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit po zhvillohet në Hagë që prej vitit 2023. Prokuroria i ngarkon ata me një varg veprash penale, për të cilat pretendon se janë kryer gjatë luftës në Kosovë dhe pas përfundimit të saj, ndërsa të katër të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm.
